Me një ceremoni solemne, është bërë rihapja e terminalit doganor brenda hapësirave të Ndërmarrjes Publike “Trepça” në Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave dhe Transfereve Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli e drejtori i Përgjithshëm i Doganës Agron Llugaliu.
Kurti tha se padrejtësisht është larguar ky terminal, për t’iu dhënë një biznesi privat.
Ai ka shtuar se me rihapjen e terminalit përfiton ekonomia e vendit.
Nga viti 2003 deri në vitin 2014 terminali doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës. Padrejtësisht e çuditërisht ky terminal doganor i është dhënë një privati jashtë zonës së Trepçës, me ç’rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune. Kësisoj kanë humbur bizneset, por ka humbur edhe Trepça. 24 punëtorë që punonin në terminal patën ngelur pa punë, ndërsa Trepça mbeti pa qindra mijëra euro të hyra vjetore. Në qeverisjen e kaluar patëm ndarë mbi shtatë milionë euro për Trepçën – mbi 3.5 milionë për rimëkëmbje, në njërën anë, dhe po aq për paga e investime kapitale”.
“Me projektin tonë për Fondin Sovran, “Trepçën” e kemi vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik. Për ndërmarrjet publike, përfshirë edhe Trepçën, në buxhetin e vitit 2022 kemi ndarë 40 milionë euro. Rikthimi i terminalit doganor në Trepçë është hapi i parë i përmbushjes së zotimit tonë që deri në mesin e vitit të ardhshëm, terminalet doganore shtetërore të shtrihen në gjithë vendin”.
“Aso kohe, 24 punëtorë kanë punuar dhe kanë mbetur papunë pasi i larguan këtë terminal”, tha Kurti.
Mirënjohës për rihapje të këtij terminali, u shpreh drejtori i Doganës Agron Llugaliu, duke e konsideruar si hap shumë të rëndësishëm për ekonominë edhe bizneset, raporton EO.
“Jam shumë mirënjohës nga Qeveria që ka bërë gjithçka për rihapjen e këtij terminali. Rihapja e saj është me rëndësi në dimensione të ndryshme dhe për ekonominë dhe bizneseve, sepse iu mundëson kosto më të ulët”.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, u zotua edhe për investime të tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë, duke theksuar se Trepça është prioritet i Qeverisë.
Ministri i Financave dhe Tranafereve, Hekuran Murati, tha se deri synojnë që vitin e ardhshëm të hapen në tërë Kosovën terminale të tilla, raporton EO.
“Trepçës do t’i rikthehet edhe aktiviteti primar, pra, do të investohet në aktivitetin primar. Ne tashmë kemi ndarë buxhet në mënyrë që Trepça të funksionojë sipas aktivitetit që ka si minierë dhe shkritore për zhvillimin motorik të vendit”.
“Në aspektin biznesor, ky është hapi i parë dhe deri në gjysmën e vitit të ardhshëm, do të shtrihen terminale të tilla në tërë Kosovën”, tha Murati.