Rikthimi i industrisë së turizmit dhe perspektiva e tregut shqiptar

Prishtinë | 09 Pri 2024 | 14:09 | Nga Arsim Ajeti

Turizmi si një nga industritë kryesore globale përbëhet nga disa nënkategori: hoteleria,
gastronomia, pronat sezonale e kështu me rradhë.

Turizmi ndërkombëtar është një faktor i rëndësishëm kur kemi të bëjmë me ekonominë globale, në tërësi ai gjeneron mbi 8% të të ardhurave bruto globale sipas konsulencës Statista.

Pandemia, ose kufizimet me të cilat u përball turizmi global bëri që një nga industritë më
fitimprurëse të përballet me falimentimin.

Praktikisht masat e rrepta anti-covid gjatë periudhës 21/22 u cilësuan si vitet më të zeza
në historinë e turizmit, pasi kufizimet e rrepta e bënë turizmin të duket si një industri pa
të ardhme apo ekonomikisht të ‘vdekur’.

Tani, tri vite pasi OBSH-ja shpalli C-19 një pandemi, optimizmi është rikthyer në
industrinë më të preferuar për konsumatorin global, ndërkohë që tregu shqiptar ka
shënuar rritje.

Nëse i referohemi të dhënave nga UNWTO, turizmi global është rikthyer fuqishëm vitin
e kaluar. Mbërritjet e turistëve ndërkombëtarë janë dyfishuar, (krahasuar me dy vitet e
mëparshme) ndërkohë që Shqipëria ka shënuar një rritje të theksuar në industrinë e
turizmit poashtu.

Si një treg i paeksploruar me mundësi të jashtëzakonshme, falë shtrirjes së saj
gjeografike, Shqipëria po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një vend që ofron jo
vetëm plazhe të bukura, ushqime të shijshme dhe cmime të përballueshme në treg, por
edhe një mundësi shtesë për investitorët e mëdhenj që të përfitojnë nga momentumi i
krizave globale dhe investojnë diku që mund të konsiderohet si ‘investime strategjike’.

Nuk është rastësi që Shqipëria është në listën e disa prej investitorëve më seriozë në
treg, kjo pasi që për të dytin vit me rradhë, Shqipëria renditet nga UNWTO si vendi me
rritjen më të madhe turistike në Europë, dhe kjo nuk ndodh rastësisht.

Reformat ligjore mbi pronësinë, lejet strikte të ndërtimit, dhe noterizimi i dokumenteve të
pronësisë së paluajtshme kanë rritur oreksin e investitorëve të huaj të cilët në
planifikimin e tyre për diversifikimin e fondeve e konsiderojnë si opsionale ofertën e
bregdetit shqiptar, siç edhe kemi rastin me investitorin Jared Kushner, dhëndrin e ish-
presidentit Donald Trump sic u raportua së fundmi edhe nga mediumi Bloomberg.
Në fakt, Jared Kushner nuk do të investojë buxhetin e tij personal në bregdetin e bukur
të Sazanit, sic mediat lokale nxituan të raportojnë ngjarjen.

E vërteta është se zoti Kushner, si bashkëthemelues i fondit strategjik të investimeve
‘Affinity’ do menaxhojë portofolin prej mbi 2 miliardë dollarësh të siguruar nga Fondet Publike të Arabisë Saudite.
Kjo do të thotë se Z. Kushner së bashku me partnerët tek Affinity’ konsiderojnë investimet në bregdetin shqiptar si investime potencialisht fitimprurëse, (me projeksione afatgjata) që de facto shërbejnë jo vetëm si mburojë ndajinflacionit, por edhe si investime fitimprurëse.

Kjo në vetvete është edhe misioni parësor që këto konsulenca ofrojnë për investitorët
që kanë para kesh në llogaritë e tyre rrjedhëse.

Përtej tendencave dhe raportimeve mediale, më duhet cekur disa nga pikat më të
favorshme dhe më pak të favorshme në tregun shqiptar.

Sipas vlerësimeve të agjencionit mbi Turizmin Global UNWTO, ardhjet e turistëve kanë
shenuar një fluks të madh dhe këtë vit priten rekorde të reja.

Agjencioni për prenotime globale ‘Booking.com’ sipas sondazheve më të fundit ka
rradhitur bregdetin shqiptar si njërin ndër top trendet e këtij viti, ndërsa
Plazhi Pasqyrat afër Sarandës eshte shpallur nga ‘CV Villas’ si plazha me e pastërt me
ujin më të ‘kaltërt’ në Europë, ndërsa Shqipëria për herë të parë që nga rënia e
komunizmit pritet të ketë më shumë se 11 milionë turistë brenda një viti kalendarik.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi gjatë 9-mujorit të
vitit 2023 janë 1 miliardë euro më shumë se në vitin 2022. Konkretisht, 8.2 milionë
turistë të ardhur nga janari në shtator kanë shpenzuar mbi 3.2 miliardë euro, ndërsa
vitin e kaluar kjo vlerë u vlerësua në 2 miliardë euro.

Në bazë të këtyre përkufizimeve, Shqipëria pritet të gjenerojë mbi 5 miliardë euro dhe
kjo është një rritje enorme, marr parasysh se 10 vite më parë, Shqipëria nuk arrinte as
700 milionë të ardhura nga turizmi në vit.

Me gjithë boshllëkun infrastrukturor, hekurudhor dhe ajror, mungesat e theksuar e
transportit dhe pastërtia apo mirëmbajtja e shumë plazheve publike mbeten një sfidë
më vete, një sfidë që Shqipëria duhet ta eliminojë patjetër, nëse realisht synon një vend
në tregun e turizmit ndërkombëtar.

Të ngjashme