Rishfaqja e “Shtetit Islamik” në Siri rrezikon një valë të re refugjatësh në Evropë

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Një raport i brendshëm i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes konstaton se “Shteti Islamik” është duke u rigrupuar, shkruan gazeta franceze, “Le Monde”, e cila ka pasur qasje në raport.

Të mërkurën, një inspektor i përgjithshëm i Pentagonit ka paralajmëruar se “ndonëse ‘kalifati’ ka humbur territor, ISIS-i ka kapacitete në Irak dhe ka rifilluar aktivitetet e veta në Siri”, shkruan EuObserver, përcjell sot Koha Ditore.

Raporti pretendon më tej se “Shteti Islamik” ka arritur të “rigrupohet dhe të mbështesë operacione” në të dyja shtetet, pasi që grupet lokale nuk kanë qenë në gjendje ta mbajnë territorin e kthyer nga “Shteti Islamik”.

Në fund të 2018-s, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte shpallur fitore të plotë mbi “Shtetin Islamik. Ai, po ashtu, i kishte tërhequr shumicën e trupave amerikane që po vepronin në Siri”.

Forcat Demokratike Siriane (SDF) e kishin paralajmëruar presidentin amerikan se lufta nuk kishte marrë fund dhe se nuk ishte ide e mirë që forcat amerikane të largoheshin prej shtetit. SDF-ja përbën një bashkëpunim të forcave të mbështetura nga Perëndimi.

Ekspertë të ISIS-it, si Hassan Hassan, drejtor i programit për aktorë joshtetërorë në Qendrën për Politikën Globale, ka parashikuar se ISIS-i do të kthehej në Siri, njëjtë si ndodhi me Talebanin, pasi që u dëbua nga Kabuli më 2001.

Të ngjashme