Rizvanolli dhe Gjini diskutojnë për vendosjen e zinxhirit të prodhimit të biomasës për ngrohje në Ngrohtore

Prishtinë | 14 Mar 2023 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, kanë pritur në takim kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe përfaqësues të tjerë të kësaj komune.

Ministria e Ekonomisë njofton se ky takim është mbajtur me qëllim të koordinimit të të gjithë akterëve dhe Ngrohtores për vendosjen e zinxhirit të prodhimit të biomasës për ngrohje.

“Gjatë takimit janë diskutuar të gjitha sfidat që janë hasur për furnizim të Ngrohtores me biomasë dhe hapat konkretë e të menjëhershëm për t’i tejkaluar ato. Gjatë ditëve në vijim pritet të fillojë puna në nivel teknik për t’i përmbushur këta hapa me asistencë të institucioneve qendrore”, njofton Minisria e Ekonomisë.

Deri më tash, Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar Ngrohtoren e Gjakovës me 1.1 milionë euro, apo trefishin e shumës që ka qenë e buxhetuar, për blerje të biomasës gjatë dy sezoneve të kaluara.

“Prandaj, pritet që ngrohtorja të pavarësohet dhe të fillojnë funksionalizimin e zinxhirit të prodhimit të biomasës në mënyrë që së paku pjesërisht të përmbushin nevojat e veta për lëndë djegëse”, thuhet tutje në njoftim.

Gjatë këtij takimi ministrja Rizvanolli ka ritheksuar domosdoshmërinë që çështja e zinxhirit të prodhimit të zgjidhet deri në sezonën tjetër të ngrohjes.

Të ngjashme