Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka kundërshtuar pretendimet që importet e energjisë elektrike kanë qenë 259 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se të gjitha shpifjet janë bërë nga deputetët e opozitës.
“Gjithmonë me të drejtë është shumë vështirë sepse është e pamundur dhe e palogjikshme që t’ju dalësh me shpifje gjëra dhe unë nuk mundem me i kundër-argumentuar. Ju lutem këtë pavarësi të argumenteve që i keni, këtë hapësirë që e keni, dhe pastaj mund të flasim. Një prej gënjeshtrave më të mëdha që është thënë gjatë këtyre viteve e gjatë këtyre muajve, ju lutem mos bërtitni, është… kërkoj ndjesë ju lutem, as juve as juve të tjerëve që bërtitni nganjëherë. Është thënë një prej gënjeshtrave që është përsëritur më së shumti e që qytetarët fatkeqësisht mendojnë që është e vërtetë, është shifra për importet e energjisë elektrike që është 259 milionë euro që ka qenë vitin e kaluar. Ju e keni lexuar një grafik të një raporti të Institutit GAP, mirëpo nuk e keni lexuar edhe fusnotën, e cila tregon qartë që të dhënat e energjisë elektrike mund të përmbajnë edhe energjinë elektrike që kalon nëpër Kosovë, pra transit.
Këtë statistikë, këtë gabim ose këtë gënjeshtër e thoni vazhdimisht, edhe duke u referuar të dhënave të KOSTT-it, praktikisht ju lutem mos bërtitni as ju, as të dhënat e asnjë moment asnjë moment nuk po flas asnjëherë. I keni cituar vetëm me qëllim”, tha Rizvanolli.
Ajo tha se importi ka qenë 167 milionë euro dhe jo siç është raportuar dhe proklamuar.
“Importi në fakt ka qenë 167 milionë euro që është 92 milionë euro më pak sesa që është proklamuar. Nuk e keni marrë mundin që të flisni për këtë. Është thënë 1 miliard janë investuar gjatë mandatit, në fakt janë investuar 621.8 milionë gjatë mandatit që 38% më pak sa ajo që keni proklamuar. Tash po kthehem pak te importi edhe kapaciteti që po thoni që s’i janë shtuar as 1 megavat. A dini çka është shifra e saktë 1 miliard nga ana tjetër? 1 miliard janë investime të proklamuara me letra në KEK që kanë ndodhur pas luftës para mandatit tonë. 1 miliard euro, zero kapacitete të shtuara.”, tha Rizvanolli
Ajo tha se është duke u investuar në termocentralet të cilat janë në Korporatën Energjetike të Kosovës.
“Me pak më shumë se gjysmën e këtyre investimeve në KEK aktualisht është duke u modernizuar termocentrali Kosova B, janë duke u shtuar filtrat të cilët e ulin ndotjen, është duke u rritur prodhimi për 14% të KEK-ut dhe janë duke u rehabilituar plotësisht njësitë e termocentralit Kosova A. Si rezultat i kësaj, Kosova pritet të bëhet neto-eksportuese e energjisë elektrike në vitin 2028. Ky është realiteti. Po flasim edhe pak për arsyet e rritjes së importit. Importi po rritet apo është rritur vitin e kaluar sepse janë duke u bërë investime të cilat nuk janë bërë për 40 vite në Kosovën B, përkatësisht për 60 vite në termocentralin Kosova A.
Si rezultat i të cilave siguria e furnizimit do të përmirësohet, do të rritet jetëgjatësia e termocentraleve për 20 vjet dhe kjo bëhet me kosto shtesë minimale. Arsyeja pse është zgjedhur kjo rrugë bazuar në strategjinë e energjisë 2022-2031 ka qenë se ka qenë opsioni më i mirë, i cili nënkupton që me rritje minimale prej 1 deri në 2 euro për megavat/orë që keni po e shihni të mund të mbulohen këto investime. Ndërsa sivjet do të vazhdojnë investimet në bllokun B1, ndërsa vitin e ardhshëm do të vazhdojnë investimet në vendosjen e filterëve. Prapë investime të cilat nuk janë bërë për 40 vite, disa për 20 e diçka vite.
Prodhimi i KEK-ut keni thënë shpesh herë është ulur me qëllim për me importuar. Nëse i shihni shifrat reale gjatë viteve 2021-2025, prodhimi i KEK-ut ka qenë vetëm 1% më i ulët krahasuar me pesëvjeçarin paraprak, mesatarisht 5.45 milionë megavat/orë krahasuar me 5.41 milionë megavat/orë gjatë këtij pesëvjeçari të kaluar. Arsyeja pse është kjo është se gjatë kësaj periudhe, gjatë vitit 2023 dhe në vitin 2025 ka pasur investime serioze që nuk janë bërë kurrë më herët, duke përfshirë këtu dilatimin e bojlerëve që ka qenë parakusht për investimin në modernizimin dhe në vendosjen e filterëve në bashkëpunim me BE-në dhe në vitin 2025 investimet në bllokun B2, në modernizimin e turbinës dhe investime të tjera.
Pra me të gjitha këto investime dhe me muajt që kanë qenë jashtë funksionit, jo për arsye tjetër por me qëllim të rritjes së sigurisë së furnizimit dhe kryerjes së investimeve që s’janë bërë kurrë më herët, kemi pasur një rritje të përkohshme të importit por që e ardhmja do të jetë shumë më e sigurt për 20 vitet e ardhshme si rrjedhojë e këtyre investimeve që po bëhen tash. U përmend edhe qymyri. Sigurisht që përgjatë periudhave kur termocentralet punojnë më pak për shkak të investimeve edhe prodhimi i qymyrit është më i ulët”, tha Rizvanolli.
Ajo tha se sektori i energjisë ka ekzistuar edhe më herët edhe në qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Mirëpo t’ju kujtoj një gjë, sepse sektori i energjisë nuk ka filluar me funksionuar herën e viteve të kaluar, deputetë, kur jeni bërë ekspertë. Edhe LDK-ja ka ekzistuar më herët, edhe ka qeverisë më herët ka ekzistuar më herët, edhe sektori i energjisë ka ekzistuar edhe më herët. A e dini kur ka qenë rekordi i ulët i prodhimit të qymyrit në Kosovë edhe i energjisë elektrike? Ka qenë viti 2016-2017, më falni 2017 dhe 2018 kur u ndalën termocentralet me urdhër të KPMM-së, është ndalur puna në minierë sepse nuk janë bërë shpronësimet me kohë dhe kjo ka qenë në kohën e qeverisjes së LDK-së. Edhe kjo ka qenë hera e parë dhe e vetme që kjo ka ndodhur në historinë e Kosovës.
Ndërsa aktualisht po flasim, rezervat në tokë në KEK janë mbi 500 mijë ton që janë në nivele optimale. U përmend edhe liberalizimi i energjisë dhe u aludua se liberalizimi i energjisë është bërë për të përfituar tregtarët”, tha Rizvanolli.
