Romani “Shtatë udhë” i shkrimtarit Rrahman Paçarizi ka dalë nga shtypi në këtë javë. Në këtë prozë, sikur do të shihni gjatë leximit, frika nga vdekja autorit i ka ardhur te hundët prej që ka mësuar ta dallojë gëzimin nga pikëllimi, prej që ka dëgjuar rrëfime për të vdekurit dhe për të vrarët; prej që ka parë kufoma nga vdekja e natyrshme dhe e panatyrshme dhe prej që ka dëgjuar, nga pleq dhe nga plaka, rrëfime për lugetër e për qenie të tjera nga mitologjia shqiptare të cilat mite i ka rrënuar me kalimin e kohës – duke marrë librat shkencorë në duar për shpjegimin e tyre.
Temat, motivet, ngjarjet në këtë roman janë, kryesisht, përjetime të autorit dhe të shokëve të tij. Ka tema dhe motive, persona dhe personazhe që janë marrë nga historia dhe nga artet dhe janë bërë prototipa në të shtatë rrëfimet e tij, në të cilët, për shkak të pronorit “im”, autori duket më i pranishëm në secilin prej tyre sesa familjarët dhe miqtë e tij, me të cilët diskuton për temat që i trajton e që janë, të rënda, të ndjeshme.
Zoti im, Helena ime, Çmendja ime, Pushteti im, Lufta ime, Liria ime, Vdekja ime janë titujt e rrëfimeve, në të cilët ka dukuri abstrakte dhe konkrete; kujtime dhe përjetime tepër të rralla në vendin dhe shoqërinë tonë. Janë rrëfime dhe tregime që përbëjnë një roman tematik familjar, shoqëror dhe kombëtar. Narratori në to rrëfen për moshën e vet të fëmijërisë, të adoleshencës, të pjekurisë; për mësimet në shkollën fillore, për mësimet në shkollën e mesme, për mësimet në fakultet, për raportet shoqërore, për punën dhe punësimet.
Ka në këto rrëfime njerëz me jetë dhe jetesë komike, tragjike, tragjikomike. Ka dhe të tjerë njerëz që, në kohën e luftës që kris në Kosovë, duke ikur nga pushtuesi serb që vret dhe dhunon vajza dhe gra shqiptare, jetojnë të izoluar në një lloj qarrishte në një fshat të Kosovës duke ngrënë vetëm zvarranikë dhe barishte sa për ta mbajtur shpirtin gjallë.
Këto rrëfime kanë monolog, por janë të pasur edhe me dialog të pastandardizuar. Gjuha e rrëfimeve, edhe e personave/personazheve, është gjuhë e teatrit, sepse edhe ruhet, edhe u ruhet stili i të folurit nga rajoni prej nga vijnë.
“Shtatë udhë” ka edhe humor të mirë. Ka në të tema dhe motive lokale dhe urbane. Ka personazhe të vjetër dhe të rinj që të këpusin së qeshuri teksa bisedojnë për dukuri të ndryshme të kafshëve. Ka edhe figura historike dhe problematike që kanë zënë vend, më shumë se në histori, në letërsi. Është edhe Helena e Trojës në këtë truall të letërsisë sonë.
Do të gjeni edhe përjetime të të burgosurve në burgjet e Kosovës, të cilët, sa ishin të burgosur, ëndërronin të shpëtonin e meqë aty u mungonte buka e nuk ngiheshin kurrë, duan që në liri të punojnë në furrë buke e mos t’u mungojë asnjëherë.
Drama dhe dhembja më e madhe njerëzore, familjare, e padurueshme, e pakapërcyeshme, është në rrëfimin “Vdekja ime”, në të cilin shuhet jeta e qenies më të dashur – nënës dhe nis ballafaqimi i njerëzve me Zotin, mbështetja e tyre në të dhe besimi për takim në botën e përtej varrit.
Rrëfimet e këtij romani secilit lexues ia ndryshojnë të menduarit dhe të vepruarit.
Është një roman mbushur me psikologji, komedi, tragjedi; me paqe dhe luftë.
Është në të një arkiv i kujtimeve 50-vjeçare.
Librin e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni”.