Cristiano Ronaldo ka ende dilema për të ardhmen e tij te Reali i Madridi. Sipas medieve spanjolle dhe britanike, sulmuesi portugez është takuar me drejtuesit më të lartë të klubit iberik, madje duke u dhënë edhe një ultimatum.
Gjithnjë sipas tyre, ylli i “Los Blancos”-ve ka këmbëngulur në kërkesën e tij për një rritje të pagës në nivelin e asaj të Lionel Messit, për të qëndruar ende në “Santiago Bernabeu”.
Sulmuesi 33-vjeçar shkaktoi tërmet pas finales së Champions League, teksa la të kuptohej me deklaratën e tij se do të linte skuadrën 13 herë kampione të Europës, duke krijuar një situatë kaotike që vazhdon të jetë e tillë.
Kjo gjendje ka bërë që te Manchester Unitedi të ringjallet interesi për portugezin, ndërkohë që në ditët e fundit u fol edhe për gatishmërinë e shfaqur nga Paris SG për t’i ofruar një kontratë me pagë prej 45 milionë eurosh në sezon.