Ronaldo: Mbappe më kujton veten në kulmin e karrierës

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Kylian Mbappe ka marrë një nga komplimentet më të mëdha të karrierës së tij, pasi legjenda braziliane Ronaldo Nazario e krahasoi sulmuesin francez me veten në kulmin e formës.

Ylli i Real Madridit ka shkëlqyer në fillimin e Kupës së Botës 2026, duke realizuar katër gola dhe dy asistime në tri ndeshjet e para me Francën.

Ronaldo mahnitet nga Mbappe

Mbappe ka qenë prej kohësh një nga emrat më të përfolur si pasardhësi i Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në futbollin botëror. Megjithatë, këtë herë ishte “Fenomeni” Ronaldo ai që i dha një vlerësim të jashtëzakonshëm, duke e cilësuar francezin si trashëgimtar natyral të legjendave të lojës.

Braziliani theksoi se kombinimi i shpejtësisë së jashtëzakonshme me instinktin para portës e bën Mbappen një nga sulmuesit më të kompletuar të kohës.

Katër gola dhe dy asistime

Mbappe e hapi llogarinë e golave në Botërorin 2026 me dy gola ndaj Senegalit, ndërsa përsëriti të njëjtën arritje edhe në sfidën kundër Irakut. Edhe pse nuk shënoi ndaj Norvegjisë, ai ishte vendimtar me dy asistime, duke udhëhequr sulmin e “Les Bleus”.

Në një intervistë për L’Equipe, Ronaldo tha:

“Duhet të mendosh edhe për trashëgiminë që lë pas. Messi dhe Mbappe janë futbollistë që tejkalojnë statistikat dhe meritojnë të jenë ndër golashënuesit më të mëdhenj në historinë e këtij kompeticioni. Messi është një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë dhe vazhdon të jetë vendimtar. Sa i përket Mbappes, mënyra si luan më kujton veten në kulmin e karrierës. Ai është një nga futbollistët më të mirë të botës dhe trashëgimtari natyral i legjendave të këtij sporti.”

Dominimi i lojtarëve të Real Madridit

Mbappe nuk është i vetmi futbollist i Real Madridit që po spikat në Botëror. Lojtarët e klubit madrilen kanë realizuar deri tani 11 gola në turne, me Mbappen dhe Vinicius Junior që kanë shënuar nga katër secili.

Kontribut kanë dhënë edhe Jude Bellingham me dy gola për Anglinë dhe Arda Guler me një gol për Turqinë. Real Madridi tashmë është pranë rekordit të vet historik prej 12 golash të realizuar nga lojtarët e tij në një edicion të Kupës së Botës.

Çfarë e pret Francën?

Franca e mbylli fazën e grupeve me bilanc perfekt, duke fituar ndaj Senegalit, Irakut dhe Norvegjisë, ndërsa shënoi plot 10 gola në tri ndeshje.

Në fazën e 1/16-ave, “Les Bleus” do të përballen me Suedinë, me synimin për të siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës për herën e tretë radhazi. /GazetaExpress/

Të ngjashme