Amir Rrahmani mori duartrokitjet e rreth gjashtë mijë shikuesve që ishin mbledhur, të hënën mbrëma në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë për të përcjellë ndeshjen miqësore Kosova – Letonia.
Ai shënoi golin e barazimit 1:1, pak kohë pasi mysafirët avancuan. Shënoi me kokë në minutën e 13-të pas harkimit të Bernard Berishës, shkruan Koha Ditore.
Për Rrahmanin ishte goli i parë me fanellën e përfaqësueses së Kosovës në një stadium të Kosovës. Jo edhe i vetmi. Duartrokitje edhe më të mëdha se në Mitrovicë, kishte marrë para dy vjetësh në stadiumin e qytetit të Prishtinës – nga rreth 20 mijë tifozë.
Por, atëbotë pati shënuar kundër Kosovës – me fanellën e Shqipërisë në miqësoren e luajtur më 13 tetor 2015 (2:2) në stadiumin e qytetit të Prishtinës dhe kjo e bën lojtar të veçantë.
Ka pak ose asnjë lojtar në botë që kanë shënuar kundër një përfaqësueseje, e më pas të jenë kthyer për të luajtur për të.