Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani i ftuar personalisht nga Ministrja e Shëndetësisë Publike të Katarit, Hanan Al Kuwari po merr pjesë në Samitin Botëror për Inovacione në Shëndetësi që po mbahet në Doha, Katar, më 28,29 nëntor dhe 1 dhjetor 2016.
WISH mbështetet nga Fondacioni i Katarit (Qatar Foundation), i themeluar nga Shkëlqesia e Saj, Sheikha Moza bint Nasser.
Samiti WISH konsiderohet një nga ngjarjet më eminente në botë në fushën e shëndetësisë ku shpalosen politikat shëndetësore globale të frymëzuara nga hulumtime shkencore të realizuara në institucione me renome botërore. Në këtë samit takohen politikanë të nivelit të lartë – ministra të shëndetësisë dhe të financave, liderë sistemesh shëndetësore, udhëheqës të kompanive industriale, akademikë dhe hulumtues prominentë, inovatorë dhe sipërmarrës shoqërorë.
Sivjet në WISH po marrin pjesë rreth 1400 pjesëmarrës nga 100 vende të botës përfshirë këtu edhe 40 ministra të shëndetësisë. Pjesëmarrësit diskutojnë dhe debatojnë në sesione, forume dhe takime bilaterale për problemet dhe sfidat në shëndetësi siç janë – llogaridhënia në shëndetësi, mbulueshmëria e shërbimeve shëndetësore, edukimi profesional shëndetësor, autizmi, demenca, stili i jetës, sëmundjet kardiovaskulare, benefitet ekonomike të investimit në shëndetësi, popullatat e shëndetshme, mjekësia precize etj.
Ministri i Shëndetësisë Rrahmani gjatë drekës ministrore që u organizua në WISH u takua me kolegët e tij nga kontinenti i Evropës, Amerikës Latine dhe Azisë, ndërkaq nesër pritet të takohet me Ministren e Shëndetësisë Publike të Katarit, Dr. Hanan Al Kuwari.
Ministri Rrahmani është Ministri i parë kosovar që merr pjesë në këtë Samit prestigjioz.