Rrahmani prezantohet te Venezia, këto janë fjalët e tij në konferencë

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, është prezantuar zyrtarisht si futbollist i ri i Venezias, me të cilën do të luajë në Serie A gjatë sezonit 2026/27. Kosovari ka nënshkruar kontratë me klubin italian deri më 30 qershor 2029.

Në prezantimin e tij të parë, Rrahmani foli për përshtypjet nga skuadra e re dhe objektivat që ka me Venezian.

“Kam ndjesi shumë të bukura. Jemi një skuadër e re, me shumë lojtarë të rinj dhe të rinj në moshë, që përpiqen të japin më të mirën në stërvitje dhe në ndeshje. Të vazhdojmë kështu dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme”, deklaroi Rrahmani.

25-vjeçari u shpreh se pozicioni i tij i preferuar është ai i sulmuesit qendror, por theksoi se është i gatshëm të luajë aty ku kërkon trajneri.

“Si numër 9 ndihem më mirë, por jam në dispozicion të skuadrës, duke luajtur aty ku dëshiron trajneri. Nëse luaj si numër 9, jam më pranë portës, por nëse luaj më prapa, do ta ndihmoj skuadrën në maksimum në çdo moment”, tha ai.

Rrahmani foli edhe për transferimin në Itali dhe ëndrrën për të luajtur në një prej kampionateve më të forta të Evropës.

“Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të luaj në një nga 5 kampionatet më të mira të Evropës. Prandaj, kjo është diçka që më bindi të vija këtu. Pastaj, të jem në Itali është mundësia ime për të treguar veten dhe futbollin tim, duke u përpjekur të shënoj dhe të jap asistime, për të ndihmuar Venezian të arrijë objektivat e sezonit. Për pjesën tjetër, do të përpiqem të jap më të mirën për të vazhduar karrierën time ashtu siç kam bërë gjithmonë deri tani”, u shpreh sulmuesi kosovar.

Rrahmani iu bashkua Venezias nga Sparta e Pragës në korrik, në një transferim të përhershëm.

Të ngjashme