Pas rinumërimit të 117 kutive të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mërkurën bëri të ditur se ka ndryshime në listën e deputetëve të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Një nga këto ndryshime ishte edhe në listën e koalicionit LDK, AKR dhe Alternativa, saktësisht në listën e deputetëve të LDK-së, ku Imet Rrahmani u zëvendësua me Naser Osmanin.
Por Rrahmani ka thënë se është i shqetësuar me këtë ndryshim, madje sipas tij, është bërë një shkelje e rëndë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai madje edhe i ka bërë pyetje KQZ-së, duke ka ngritur dyshime se emri i tij nuk është i përshtatshëm për pazaret eventuale, andaj edhe është larguar nga lista e deputetëve.
Statusi i tij të plotë:
“Jemi të brengosur dhe kemi dyshimet tona për ndryshimin që ka ndodhur me rastin e shpalljes së rezultateve nga ana e KQZ-së. Konsideroj se është bërë një shkelje e rënd e rezultatit zgjedhor sepse ndryshimi që ka ndodhur nuk bazohet në rezultatin real të rinumërimit. Nga ajo që shihet në dokumentet e publikuara nga KQZ, rinumërimi i votave ka sjell uljen e votave për kandidatin direkt konkurrent për tri vota, a në anën tjetër numri i votave të mia nuk ka ndryshu.
I bëjë pyetje publike KQZ-së, si ndodhi që të shtohen votat për kandidatin tjetër kur rinumërimi ka konfirmu zbritje? Si duket emri im nuk qenka i përshtatshëm për zhvillimet pasuese të mundshme dhe pazaret eventuale, por si do që të jetë unë përfaqësoj një rreth të madh votuesish të devotshëm të LDK-së, të cilët vlerësojnë punën time profesionale dhe të ndershme si mjek, politikan, nënkryetar i LDK-së në Gjilan e ministër i Shëndetësisë!
Nuk dua të besoj se një proces i shenjtë demokratik siç është vota e qytetarit, mund të shtrembërohet e keqpërdoret prandaj bashkë me ekipin tim nuk do lëmë gurë pa lëvizur!
Unë do të ushtroj ankesë në afatet ligjore dhe do të luftoj deri në fund që të zbardhet vullneti i qytetarëve i shprehur me votë ditën e zgjedhjeve, sepse vendosja e drejtësisë shkon edhe në dobi të partisë. Kështu si është as LDK-së nuk i bënë nderë!”