Kosova është nikoqire e Danimarkës në ndeshjen miqësore para fillimit të kualifikimeve për Euro 2020 që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, raporton Ekonomia Online.
Mbrojtësi kosovar, Amir Rrahmani, beson se çdo fëmijë që fillon ta shkelmojë topin me këmbë ëndërron të luajë për ekipin kombëtar. Ai e sheh si të pakrahasueshme ndjesinë për ta përfaqësuar vendin.
Rrahmani tha se Danimarka është ekip shumë i fortë, siç e ka treguar veten duke arritur në çerekfinale të Kupës së Botës më 2018 në Rusi.
“Danimarka ka ekip shumë të mirë, është një ndeshje ndryshe nga ato me ndeshjet e Ligës së Kombeve. Barra nuk i bie vetëm mbrojtës por është test për gjithë ekipin dhe këtë test do ta kalojmë të gjithë se bashku”, tha Rrahmani i pyetur nëse barra në këtë ndeshje bie mbi mbrojtjen. Ta përfaqësosh një shtet ndjenjë shumë e veçantë, privilegj, nuk mund të krahasohet me asgjë kjo ndjenjë. Çdo fëmijë sapo fillon ta godasë topin e ëndërron Kombëtaren”, shtoi ai.
Ai është pyetur se a është i nderuar që përfaqëson Kosovën.
“Është ndjenjë e veçantë që të përfaqësosh vendin tënd, jo vetëm Kosovën por për të gjithë futbollistët në botë është e veçantë që të përfaqësosh vendin e familjes”, ka thënë Rrahmani.
Bernard Challandes, trajneri zviceran i Kosovës, ka zbuluar se Kosova kishte mundësinë të zgjidhte të luante kundër Gjermanisë në udhëtim, por përfundimisht e kishte zgjedhur të luajë kundër Danimarkës në shtëpi.
Zvicerani është pyetur në lidhje me prezencën e kryetarit të kuvendit Kadri Veseli në stërvitjen e parë që u zhvillua të hënën.
Challandes ka thënë se nuk është se i ka penguar pasi Kosova ka nevojë për mbështetje nga të gjithë.
“Duhet theksuar se ne kemi nevojë për mbështetjen e politikanëve sepse jeni në vend të vogël si Kosova dhe duhet t’i japim vend politikanëve, sponsorëve, duhet të jemi si familje”, tha ai, raporton EO.
Ai aty u pyet se a do të luaj edhe Kryeziu në këtë ndeshje.
“Po Kryeziu nuk është gati për nesër. Nuk duam të rrezikojmë”, u përgjigj Challandes.
Ai tha se çdo trajner e ka strategjinë e vet varësisht prej kundërshtarit do të ndryshojë.
“Është e qartë se secili ekip e ka strategjinë e vet, ka qenë insistim i imi që të kemi kundërshtar si Danimarka, po ashtu ka qenë insistimin im që të luhet në Kosovë. Ndoshta do të lodhemi pak, por kjo do të na ndihmojë për ndeshjen me Çekinë. Duhet të testuar ekipin në ndeshje. Për Danimarkën është trajnim, por për neve konkurrencë. Nëse fitojmë është e shkëlqyer, nëse mbesim të barabartë është e shkëlqyer, nëse humbim mësojmë”, u shpreh ai.