Rrëfim nga burgu i fëmijëve dhe luftëtarëve të ISIS-it në Siri

Prishtinë | 24 Tet 2019 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Ekipi i “New York Times”-it ka pasur qasje të rrallë në dy burgjet për popullatën e kalifatit të dikurshëm të Shtetit Islamik, të administruara nga grupi militant kurd në veri të Sirisë. Kjo qasje ka shpërfaqur përmasat enorme të një krize ligjore dhe humanitare që bota kryesisht zgjedh ta injorojë

Të burgosurit mbulojnë dyshemenë si një qilim dëshpërimi njerëzor. Shumë prej tyre nuk i kanë sytë a gjymtyrët, disa janë bërë asht e lëkurë nga sëmundjet dhe pjesa më e madhe bartin uniforma portokalli të ngjashme me ato që Shteti Islamik, grupi terrorist së cilit dikur i përkisnin, ua vishte të kapurve të tyre para se t’i vriste, transmeton Koha Ditore.

Katin sipër, të mbyllur nëpër dy çeli që nuk shohin shumë rreze dielli, janë mbi 150 fëmijë – prej 9 deri 14 vjeç – nga vende të ndryshme të botës. Prindërit i kanë sjellë në Siri, ndërsa vetë kanë përfunduar të vdekur a të burgosur. Në çeli ata mbahen për muaj të tërë dhe nuk e kanë as më të voglën ide se ku i kanë më të afërmit apo se çfarë parasheh e ardhmja për ta.

“E kam një pyetje”, thotë djaloshi nga Surinami, në cep të qelisë. “Çfarë do të ndodhë me ne? A do të dalim ndonjëherë?”.

Vizitat e rralla të gazetarëve të “New York Times”-it në dy burgjet për ish-banorët e kalifatit të Shtetit Islamik në verilindje të Sirisë kanë shpërfaqur përmasat enorme të një krize ligjore dhe humanitare që bota kryesisht zgjedh ta injorojë. Teksa kalifati i vetëshpallur i ISIS-it në Siri është rrënuar, me dhjetëra e mijëra burra, gra dhe fëmijë, të cilët dikur kanë jetuar në të, tani kanë përfunduar nëpër kampe e burgje të stërmbushura, të administruara nga grupi militant që ishte partner i SHBA-së në betejën për mposhtjen e xhihadistëve. Por tani që pushtimi ushtarak i Turqisë ndaj forcave kurde ka prodhuar dallgë të re dhune dhe ka dobësuar kontrollin e tyre mbi rajonin, janë thelluar paqartësitë për fatin e njerëzve që e mbijetuan rrënimin e ISIS-it dhe janë mbajtur të mbyllur që atëherë në këto burgje e kampe.

Pjesa më e madhe e vendeve të tyre të prejardhjes refuzojnë t’i pranojnë, duke ia pasur frikën mendësisë së tyre potencialisht ekstremiste dhe mundësisë që të ndërmarrin sulme. Qeveritë e tyre në vend të kësaj kanë zgjedhur që t’i braktisin në duart e forcave kurde, së cilave u mungojnë burimet për t’i strehuar, ushqyer dhe mbrojtur, e lëre për t’i hetuar të rriturit dhe për t’u ofruar arsim e rehabilitim të vegjëlve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme