Ish i burgosuri politik në burgjet e Serbisë, Naim Lushi, ka rrëfyer ekskluzivisht në T7, historinë e arrestimit të tij dhe dërgimin në burgjet serbe për vuajtje të dënimit.
Lushi ekskluzivisht në emisionin “Frontal” me Arsim Lanin, ka treguar se kënga e parë që e ka kënduar në burgjet serbe, ka qenë “Marshi i UÇK-së”.
“Kënga e parë qe e kam kënduar në burg ishte ‘Marshi i UÇK-së’. Kishte shumë të burgosur që nuk e kishin dëgjuar kurrë këtë këngë. Unë kam qenë edhe i plagosur. Jam trajtuar në spital, në Pejë”, ka thënë ai.
Një histori e veçantë e Lushit, ishte edhe ajo e momentit që u plagos me shtatë plumba. Sipas tij, shokët e tij e kanë planifikuar dërgimin e tij në spital, me qëllim që të mos kuptohej se ai ishte ushtar i UÇK-së.
“Kisha shtatë plagë në trup. Gjasat ishin më shumë që unë të vdisja sesa të shpëtoja. Shokët i panë plagët e mija dhe më dërguan në spital. Shokët kishin shkuar në shtëpi e kishin marrë familje dhe pastaj bëhet një lloj kamuflimi që familjarët e mi më dërgojnë në spital dhe në pyetjen e parë që pyeten se si ishte plagosur, u thanë se e ka shpërthyer kau”, deklaroi Lushi.
Ish-ushtari i UÇK-së, tregoi edhe për momentin kur dëshmore ra Myrvete Maksutaj, në përpjekje për ta larguar atë nga spitali.
“Mjekët e kishin ditur që po vi unë dhe e dinin se çfarë kam. Unë mbeta aty dhe më vonë e kuptuan se unë jam ushtarë i UÇK-së. Shokët prapë kanë bërë përpjekje që të më nxjerrin nga spitali. Myrvete Maksutaj ka rënë aty. Unë nuk dija asgjë. Kisha ba ma mirë edhe pse isha i palëvizshëm”, ka thënë ai.
Ai rrëfeu edhe për momentin kur atë e dërguan në zyret e policisë në Pejë. Lushi tregoi edhe një moment kur atë e kishin lidhur dhe kushdo që kalonte, sipas tij e godisnin me shqelma e boksa.
“Në atë gjendje më morën dhe më dërguan në zyret e UDB-së në Pejë. Aty filluan torturat e tjera. Ka pasur rast që edhe më kanë lidh në korridor, për radiator të nxemjes dhe kushdo që kalonte më godiste me grushte e shqelma. Këtë e bënin kur të mundeshin. Kam qenë vetëm 27-vjecar atë kohë. Mjaft i ri. Ka pasur rasti që kam thënë është fundi. Kam dashur me i provoku dhe me ma dhanë fundin”, tha ai.
E shumë herë, Lushi tha se e ka dëshiruar më shumë vdekjen sesa jetën. Një rast i tillë, ai tha se ka ndodhur kur gjykatësi serb ia ka vendosur në tavolinë fotografinë e dëshmores Maksutaj, të vrarë në korridor të Spitalit të Pejës.
“Njëri rast ka qenë kur më kanë dërguar tek gjykuesi dhe më pyeti se pse ke qenë pjesë e UÇK-së. I thosha jo askush, por vetja ime. Ma ka nxjerr fotografinë e Myrvetit të vrarë dhe aty s’kam ditë më asgjë. Ata më godisnin fizikisht unë me fjalë.
Lushi gjatë luftës e ka humbur edhe familjen. Ai tregoi se si e parandjeu që iu ka vrarë babai, por se nuk e dinte se kush janë edhe anëtarët e tjerë që ishin vrarë nga serbët.
“Ne nuk kishim pasur nga fillimi i luftës kontakt. Fondi Humanitar kishte marrë iniciativë sjelljen e avokatëve nga Kosova në Serbi. Ata i thirrnin të burgosurit dhe u sjellin një pako dhe i jepnin informacione për familjen. Në mendjen time është se nuk ishin mirë. Unë e kisha parandjenjën që babai mu ka vrarë. Mua më kishte të vetmin djalë. Kur shkova unë te avokati i thashë, kush janë tjerët te Lusht që kanë vdekur sepse për babain e tij. Ai më tha se e vërtetë babai tu ka vrarë, por janë edhe pesë, gjashtë të tjerë që nuk i di kush janë. Ai më tha edhe ngushëllime”, deklaroi ai në T7.
Ish i burgosuri politik tregoi edhe për momentin kur u tregoi shokëve në burg për humbjen e familjes së tij dhe për reagimet e tyre.
“Secilin e mendoja të vdekur. Dy persona u lutsha të mos jenë të vdekur. Njëri djali i axhit, Valdeti sepse ka qenë shumë i ri dhe Qamili. Që të dy bashkëpunonin me mua. Thosha mos ndonëse kanë marrë vet iniciativë. Doli që të dy ishin gjallë. Shokët më pyetën se si e kisha familjen. Ju tregova që babi dhe nja pesë, gjashtë të tjerë. Disa nuk lëviznin dhe nuk gjenin as forcë për të më shprehur ngushëllime. Mendova dhe thashë ata e kanë hallin e familjes së tyre. Aty fillova ta këndoj ‘Marshin e UÇK’ dhe e kam kënduar më fuqishëm se kurdoherë”, tha ai.
Lushi, foli edhe për një letër që i kishte dërguar babait të tij, gjatë kohës sa ishte në burgun e Nishit, pa e ditur se babain ia kishin vrarë.
“Takimin e parë e kam pas me nënën. Unë sa isha në burg i kisha shkruar një letër babait pa e ditur se ai kishte vdekur. Ma kishin kthyer me një ‘X’, që asokohe nuk e dija për çfarë. Ajo kishte qenë se ky person nuk ekziston”, tha ai nw “Frontal”.