Për gjatë këtyre muajve të vitit 2019, Policia ka raportuar për një numër të madh të qytetarëve të cilët janë zhdukur nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Disa prej tyre janë larguar vetëm përkohësisht, mirëpo ka pasur edhe raste ku personat e zhdukur janë gjetur pa shenja jete. Dy rastet e fundit janë nga Vushtrria dhe Lipjani.
Musli Krasniqi nga Vushtrria i cili rezultonte i zhdukur nga data 28 nëntor është gjetur i vdekur në një pus në afërsi të fshatit Begaj më datën 4 nëntor. Trupin e tij të pajetë e kanë gjetur Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Rasti tjetër është ai i të riut nga Lipjani, Shqipdon Aliut. Për zhdukjen e tij ishte raportuar në Polici me datën 14 tetor, ndërsa trupi i tij i pajetë është gjetur më datën 21 tetor. Trupi i tij është gjetur në një gropë në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit.
E gjithë kjo situatë po shihet shqetësuese nga psikoterapisti Yll Avdijaj, i cili për Telegrafin ka folur për disa nga arsyet që mund t’i shtyjnë qytetarët të largohen nga shtëpitë e tyre.
“S’ka dyshim së për këtë dukuri, kohët e fundit po dëgjohet shumë shpesh, ku ndodh që qytetarët të zhduken, dhe sigurisht kjo përbën një shqetësim për opinionin e sidomos për vetë familjarët e këtyre personave. Zakonisht, arsyet mund të jenë të shumta po aq sa edhe vetë individët, se pse një person mund të vijë deri te zhdukja”, ka thënë ai.
Avdijaj përmendi disa nga faktorët e rëndësishëm, të cilët mund të ndikojnë në këto raste.
“Faktori psikologjik: rastet kur personat vuajnë nga ndonjë çrregullim psikik, apo disfunksione të tjera që kanë të bëjnë me trurin, çrregullimet e amnezisë që kanë të bëjnë me humbjen e kujtesës, përjetimi i ndonjë krize apo presione psikologjik, depresioni madhor etj”, tregoi ai.