Rreth 80 për qind e fëmijëve në Kosovë konsumojnë pije energjike

Prishtinë | 22 Maj 2017 | 10:30 | Nga

Kryesuesja e Grupit të Grave të këshilltareve në Kuvendin Komunal (KK) të Lipjanit, Linda Shahini, së bashku me një grup studentësh të rinj ka realizuar një hulumtim lidhur me përdorimin e pijeve energjike te fëmijët nën moshën 18-vjeçare në nivel vendi.

Pas hulumtimit kanë kërkuar fillimisht nga ekzekutivi i Komunës së Lipjanit dhe nga KK-ja ta nxjerrin një vendim për ndalimin e shitjes së këtyre pijeve për të miturit nëpër markete, në lokale afër objekteve shkollore etj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky grup i të rinjve nëpërmjet këtij hulumtimi të titulluar “Rritu shnetshëm” synon të kontribuojë në ndryshimin e politikave për vetëdijesimin e qytetarëve mbi efektet anësore të pijeve energjike te fëmijët. Në raportin e këtij hulumtimi qartësohet se 74.3 për qind e fëmijëve në Kosovë konsumojnë pije energjike, madje 50 për qind e tyre deri në 3 herë gjatë javës.

Ndërkohë pas anketimit të një mijë prindërve, 83.3 për qind e tyre kanë thënë se pijet energjike janë të dëmshme por fëmijët shpeshherë i blejnë nëpër markete dhe kafene pa dijeninë e tyre.

Sipas hulumtimit, pijet energjike japin ndjesi të rrejshme të rritjes së nivelit të energjisë, çfarë në fakt është thjesht një stimulim i përkohshëm si pasojë e kafeinës së tepruar në këto pije, pastaj përmbajnë edhe substanca të tjera stimuluese që shpeshherë janë të parregulluara me kornizë legjislative si: taurinë, guarana dhe kreatinë.

Të ngjashme