Rreziku nga Coronavirusi, nxënësit e “Faik Konicës” mësojnë me maska

Prishtinë | 26 Shk 2020 | 10:29 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nxënës të klasës së pestë të shkollës fillore “Faik Konika”, në Prishtinë, orët e mësimit i kanë mbajtur me maska. Edhe dezinfektimin e duarve, e kanë bërë një nga një.

Të gjitha këto masa mbrojtëse po bëhen për shkak të rrezikut të mundshëm nga virusi kinez, i cili deri më tani ka marrë mbi 2700 jetë njerëzish.

Për këtë, ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat në vend i është kushtuar rrezikut dhe masave mbrojtëse për Coronavirusin.

Mësuesja e kësaj klase Shpresa Gecaj, për të mos shkaktuar panik te nxënësit, fillimisht u foli si duhet të mbrohen nga gripi e më pas mbajti ligjëratë për virusin kinez.

Por, këto informacione rreth Coronavirusit, për rrezikun, simptomat e masat mbrojtëse, nuk patën mundësi t’i dëgjojnë 10 nxënësit, të cilët ka disa ditë që mungojnë si shkak i gripit sezonal.

Mësuesja Shpresa Gecaj, tha se ditëve të fundit ka pasur mungesa të nxënësve për shkak të gript sezonal, prandaj edhe vendimin e MAShTI po e konsideron me vend.

“Vendimi i MAShTI-t është shumë me vend, gjë që këtë e kam filluar që dy ditë, se kam pasur shumë mungesa të nxënësve në klasë. Iu kam treguar nxënësve iu kam thënë për masat mbrojtëse te gripit aktual, e njëjta gjë është me masat mbrojtëse të gripit tjetër, besoj që në vendin tonë nuk do të jetë, sepse po dua të besoj ashtu”.

“Ligjërata ka qenë shumë e mirëpritur, nxënësit kanë qenë shumë të interesuar dhe kanë njohuri të shumta rreth këtij grip dhe të gjithë janë përgatitur pak a shumë me masa mbrojtëse, që të kenë pastërti dhe të mos vijnë deri te ajo”.

Nxënësit e kësaj shkolle, ishin të mirë informuar sa i përket virusit kinez dhe masat mbrojtëse.

Gerti Kabashi, nxënës i klasës së pestë,  tha se për shkak të asaj çfarë ka dëgjuar në lajme për Coronavirusin, ka vendosur të mbajë maskë gjatë orës së mësimit për tu mbrojtur.

“Kam dëgjuar në televizor dhe në shumë kanale të cilat çdo mbrëmje i shikojnë prindërit e mi lajmet, kam dëgjuar se Coronavirusi është hapur në shumë vende të botës dhe mendova që ta marrë një maskë e cila më mbron nga viruset. Mendoj se nuk do të afrohet shumë deri në Kosovë. Duhet t’i pastajmë duart dhe të mos prekim çdo gjë se  mund të ngjitet virusi”, tha ai.

Ky nxënëse, dezinfektuesin e duarve, po e mban në bankën shkollore.

“Tash unë për Cornavirusin pasi që ka mbërri në Kinë, unë kam vendosur që ta marrë një dezinfektues që ti dezinfektoj duart që ti kem të pastërta gjithmonë. Disa rregulla që Coronavirusi të mos ngjitet është ti kesh duart e pastërta që të mos prekësh gjithkund që është e papastërt, të mos kesh kontakt me shokët që kanë sëmundje. Dezinfektuesi tani është që mundesh ta kesh për mbrojtjen e Coronavirusit”, theksoi ky nxënës.

Me sugjerimin e mësueses, kjo nxënëse ujin tashmë po e pinë me limon. Kjo për shkak të forcimit të imunitetit.

“Unë për të marrë masa nga virusi, mësuesja jonë na ka thënë që të marrim ujë me limon poashtu edhe dezinfektues, sepse uji me limon të jep vitamina, pastaj virusi nuk do të ngjitet”, tha ajo.

Edhe mësuesja Naime Bunjaku, tha se nxënësve iu kanë shpejguar për masat parandaluese ndaj Coronavirusit, raporton EO.

“Nga MASHTI na ka ardhur që sot ora e parë të jetë një ligjëratë për gripin që tash po kanoset, Coronavirusin. Nxënësit nuk kanë asnjë lloj frike, asnjë lloj panik, në një far forme veç po frekuenton gripi tjetër te ne, që është sezonal, veç kemi pasur mungesa të nxënësve dhe  është lidhur pak a shumë me gripin që është te ne”.

“Kemi folur edhe më herët për shkak se nxënësit janë të informuar nga mediet, i kam këshilluar nxënësit edhe më herët që të pinë sa më shumë ujë dhe ta kenë sa më të freskët edhe të ketë limon në atë ujë ta kenë imunitetin më të fortë. Çdo ditë ju flasim për higjienën, pastërtinë, rregullat, sot kemi folur më gjatë janë njoftuar cilat janë masat parandaluese, është pritur mirë, pa panik, i kam përgatitur që te ne nuk ka rrezik”, u shpreh ajo.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth Coronavirusit.

Driana Peçani, nxënëse në klasën e mësues Naime, fletoren e saj e ka të mbushur me shënime për Coronavirusin.

“Jam duke shkruar për Coronavirusin, një virus i cili është përhapur në gjithë botën. Simptomat janë lodhje dhe vështirësi në frymëmarrje, ethe, koll i thatë. Ka edhe masa parandaluese, ne duhet t’i shmangemi vendeve me shumë njerëz, higjena personale është shumë me rëndësi”, shpjegoi Driana.

Edhe Lea Nikshiç thotë se sot kanë mësuar për Coronavirusin, mësuan se nuk duhet të kenë frikë.

“Sepse ai mund të mbrohet me disa rregulla higjienike, t’i lajmë duart, të pimë ujë sa më shumë dhe të hamë ushqim të llojllojshëm dhe dy më kryesoret janë se me duar mos ti prekim sytë, hundën apo gojën dhe kur të teshtimë ta mbulojmë gojën apo hundën ose me faculetë”, u shpreh ajo

Fuad Berisha thotë se sipas mësueses nuk duhen të kenë panik, pasi fëmijët kanë imunitet më të fortë se të moshuarit.

“Sot në klasë kemi mësuar për Coronavirusin, i cili është një virus që është përhapur në të gjithë botën. Mësuesja na ka thënë që të mos shqetësohemi sepse fëmijët kanë një imunitet më të mirë se të vjetrit dhe duhet të marrim masa mbrojtëse”, tregoi ai.

Të ngjashme