Procesi i thjeshtësuar i legalizimit të ndërtimeve pa leje në kuadër të Ligjit të ri për legalizim, ka rritur numrin e qytetarëve që kanë aplikuar për legalizim të objekteve, raporton Ekonomia Online.
Numri i kërkesave për legalizim ka qenë më i madh gjatë vitit 2019, ndërsa që në muajt e parë të vitit 2020 ka pasur rënie për shkak të pandemisë.
Disa nga lehtësirat që ka Ligji i ri janë thjeshtësimi i procedurave, si dhe kostoja financiare me e ulët.
Në konferencën e organizuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me procesin e thjeshtësuar për legalizimin e ndërtimeve pa leje, zyrtarë të komunës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për legalizim të objekteve të tyre.
Ardian Olluri, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se rëndësia e legalizimit është se shmang rrënimin e objektit.
Ai ka treguar listat e pritjes së vendeve të ndërtimit të objekteve që mund të aplikohet për leje.
“Objektet që janë të ndërtuara në prona publike shoqërore, zona të mbrojtës, zona infrastrukturore, por edhe në pronat private por që pronari nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm për ta dëshmuar pronësinë. Është më rëndësi që të shfrytëzohet dhe të aplikohet, dhe nuk është arsye mosaplikimi nëse ka ndërtime në prona publike apo që nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm”, tha Olluri.
Ai ka thënë se në Komunën e Prishtinës ka një zyrë të veçantë ku qytetarëve u jepen sqarime për procesin e legalizimit.
Lendita Beqiri, nga Sektori i Legalizimit në kuadër të drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ka shpjeguar procedurat për legalizimin e objektit të ndërtimit.
Ajo ka thënë se janë vetëm 4 dokumente që duhet plotësuar.
“Janë 4 dokumente bazike, certifikata e pronësisë, kopja e planit, matjet gjeodezike dhe deklarata e cila plotësohet nga pronari”, tha ajo.
Sipas saj nëse dokumentet janë të plotësuar, procedurat është shume e shpejtë për legalizimit.
Servet Spahiu, Drejtor i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ka thënë se Ligji i ri për legalizimin ka hyrë në fuqi në vitin 2018, pro sipas tij ka pasur vonesa në fillimin e zbatimit të tij.
Spahiu thotë se në vitin 2019 ka pasur rritje të aplikimit për legalizim të objekteve, e cila ka vazhduar edhe në muajt e parë të janarit, por që pandemia ka bërë që interesimi të bie.
“Ligji i ri i legalizimit ka hyrë në fuqi në shator të vitit 2018, qëllimi i të cilit ka qenë lehtësimi i procedurave të legalizimit, që qytetarët me i kthyer në leje objektet që kanë ndërtua para lufte dhe sidomos pas lufte. Ka avantazhet e veta ligji i ri, janë procedurat e thjeshtësuar, ulja e çmimit, 1 euro për metër katror për shtëpi familjare, 2 euro për ato biznesore administrative etj”, tha ai.
Ai ka thënë se deri tani janë 350 mijë objekte të pa legalizuara. Afati për aplikim për legalizim është deri në shtator të vitit 2021, dhe maksimumi që mund të shtyhet është deri në vitin 2022.
Murat Hoxha – Kryetari i Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës ka thënë se duhet të ketë komunikim më të madh mes institucioneve qendrore dhe lokale sa i përket procesit të legalizimit. Sipas tij, komunat nuk kanë ka mjaftueshëm kapacitete për tu marr me këtë proces.
Ai ka thënë se qytetarët kanë dilema me ju qas legalizimit. Sipas tij, duhet bërë më shumë në sensibilizimin e për legalizim të pronave.