Arriti në së paku 55 numri i të vdekurve nga një sulm vetëvrasës që ndodhi të martën në një tubim të udhëheqësve fetarë në Kabul, njoftuan sot zyrtarët.
Viktimat përfshijnë studiues fetarë nga i gjithë Afganistani, të ftuar nga Këshilli Ulema, për të festuar përvjetorin e lindjes së Profetit Muhamed.
Të martën u raportua për 40 të vrarë.
“Deri tani nuk e dimë se cila organizatë militante mund të jetë pas sulmit”, tha një hetues.
Këshilli Ulema, organizata më e madhe fetare e Afganistanit, mblodhi së bashku studiues nga sekti sunit.
Talibanët e mohuan përgjegjësinë dhe zëdhënësi i tyre, Zabihullah Mujahid, tha se grupi dënon çdo sulm kundër civilëve apo klerikëve fetarë.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, e shpalli të mërkurën ditë të zisë kombëtare .