Rritja e buxhetit në 3 miliardë € e mundur, Dogana e siguron rreth gjysmën e tij

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 09:47 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në ekspozenë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do ta rrisë buxhetin e Kosovës në 3 miliardë euro, megjithëse nuk ka treguar se për sa vjet do të arrihet kjo.

Kjo shifër po shihet si e arritshme nga njohës të çështjeve ekonomike dhe drejtuesi i Doganës, e cila është kontribuuesja më i madhe në buxhet, së bashku me Administratën Tatimore.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se me sundim të rendit dhe ligjit dhe në partneritet me sektorin privat është i realizueshëm kjo rritje.

“Ekzistojnë skeptikë të ndryshëm që mendojnë se është një deklaratë populiste sesa reale. Por jam i bindur se kjo rritje mund të arrihet, në qoftë se do të kemi sundim të rendit dhe ligjit do të kemi partneritet të mirëfilltë me sektorin privat, kemi eliminim të dukurisë kancerogjene siç është korrupsioni dhe ekonomia e kriminalizuar”, tha Gërxhaliu, për Ekonomia Online.

“Nëse 2018-2019 kemi arritur t’i grumbullojmë 2 miliardë e 400 milionë euro çdo vit, atëherë më këtë masë të sundimit të rendit dhe ligjit në luftë më korrupsionin, Kurti do t’i arrijë synimin e tij. Por, duhet angazhim i të gjithëve. Kosova ballafaqohet me sfida të ndryshme sa i përket ekonomisë, numri i përbashkët i të gjitha problemeve, objektivi prej 3 miliard euro buxhet bazohet në sundim të rendit dhe ligjit dhe në partneritet me sektorin privat është i realizueshëm dhe mund të realizohet”, ka thënë ai.

Drejtori i Doganës së saj, Bahri Berisha, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se këtë vit synojnë t’i mbledhin më shumë se vitin e kaluar, kur të hyrat ishin 1.2 miliard euro.

“Dua të bazohem vetëm në të dhënat e Doganës dhe në bazë të të hyrave që kanë qenë vitin e kaluar, sepse kur të bëhet projeksioni i një viti, zakonisht merret parasysh të dhënat historike, rritja ekonomike dhe faktorë të tjerë”, tha Berisha.

“Ne në vitin e kaluar grumbulluam afro 1.2 miliard euro në import dhe bazuar në trendin që po shkon në rritje ekonomike dhe investimet kapitale të cilat mund të ndodhin nga sektori publik, investimet e huaja, ne presim që si Doganë këtë vit t’i mbledhim më shumë se 1.2 miliard euro. Sigurisht se do të jemi mbi rritjen ekonomike të vitit 2020 dhe kjo tregon se Dogana afro 5 për qind pritet të mbledh të hyra më shumë se vitin 2019”, ka thënë Berisha për EO.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar sqarime se si është menduar rritja e buxhetit.

Ahmeti i tha Ekonomia Online se për të ndodhur kjo rritje janë dy mundësi, ajo e kreditimit dhe rritjes së ekonomisë.

“Varet prej nga vjen ajo rritje. Zakonisht rritja e buxhetit duhet ta përcjellë rritjen ekonomike që e ka një vend, ose duhet të kreditohesh, tjetër mundësi nuk ka. Pra nëse e marrim parasysh rritjen ekonomike afro 3, 4 për qind që e ka Kosova që duhet të rezultojë ne rritje të të hyrave tatimore, atëherë e sheh se gati nuk është e pamundur vetëm me rritje ekonomike, por nëse merr kredi sepse ka hapësirë për të marr kredi prej institucioneve financiare, atëherë ekziston mundësia. Pra duhet të na tregojnë a do ta bëjnë me rritje ekonomike apo do ta bëjnë me marrje të kredive nga institucionet financiare”, tha Ahmeti.

E nga Ministria e Financave kanë thënë se është finalizuar projekt-buxheti për vitin 2020, në vlerë prej 2 miliardë e 467 milionë euro.

Megjithë rritjen, buxheti nuk parasheh që të realizohet përmes vendosjes së një tatimi të ri apo rritjes së tatimeve ekzistuese.

Të ngjashme