Rritja e tatimit në pronë – Murati nesër raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të premten do të raportojë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Temë diskutimi do të jetë “Rritja e vlerës së faturave të tatimit në pronë”, raporton Ekonomia Online.

Rritja e faturave të tatimit në pronë, u kritikua nga qytetarët dhe nga partitë opozitare. Ankesa pati edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), të cilët deklaruar se këtë vendim e ka marrë niveli qendror.

Rritja e tatimit në pronë, përplasi ditën e djeshme deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami me ministrin Murati. Ky i fundit tha se “në të kaluarën ka pasur raste të nënvlerësimit të pronave”. Madje sipas Muratit komunat kanë qenë të pajtuara me këtë vlerësim.

Ndërkohë, qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online, kishin deklaruar se rritja e tatimit në pronë është goditje e rëndë për buxhetin e shumicës së familjeve, në këtë kohë të shtrenjtimeve dhe krizës së rëndë ekonomike.

Disa nga qytetarët, me të cilët pati biseduar të mërkurën EO, pasi kishin paguar tatimin në pronë në sportelet e ndërtesës së re të Komunës në Arbëri, thanë se kanë vërejtur se ka dyfishim të faturës, e në disa raste shtrenjtim edhe mbi 150 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Madje një prej tyre tregoi se për vitin 2022 kishte paguar 460 euro faturën e tatimit në pronë, ndërsa për 2023-ën u detyrua të paguajë më shumë se dyfish. Ai tha se për pronën e njëjte paguajti 952 euro.

Të ngjashme