Në komunikimin e rrjeteve sociale të internetit janë bërë shumë popullore zhargonet e rrugës, të mbushura me fjalë angleze të cilat shpesh shkruhen gabimisht, ju shtohen nyje të gjuhës folëse, shkurtesa të pastandardizuara dhe kështu me radhë, shkruan REL.
“Madje edhe shprehja e ndjenjave më të bukura si – të dua më së shumti – kalon në akronim, kështu të rinjtë e humbin aftësinë për të formuar fjali që tingëllon bukur”.
Kjo është vetëm një pjesë e të dhënave që një grup i shkollës së mesme “Taki Daskallo” në Manastir e thekson në hulumtim, qe e kanë zbatuar për ndikimin e rrjeteve sociale ndaj shprehjes letrare te të rinjtë.
“Është treguar se rreth 70 për qind e të anketuarve kalojnë nga shtatë deri nëntë orë në ditë nëpër rrjetet sociale. Çdo kohë të lirë e shfrytëzojmë për to. Askush nga ne nuk i respekton rregullat letrare në shkrimin e rrjeteve sociale, kjo nuk është në rregull. Të gjithë ne e dimë se flasim në mënyrë letrare, por rrallë e shfrytëzojmë”, ka thënë nxënësi Bozhidar Nikollovski.
REL: A mendoni se nëse të rinjtë e përdorin gjuhën letrare në të folur do të tallen nga moshatarët e tyre?
“Mendoj se pikërisht ky është shkaku që ne nuk i shfrytëzojmë rregullat letrare. Nuk është në rregull, por edhe unë e bëj. Kjo është e sotmja”, tha nxënësi Bozhidar Nikollovski.
Hulumtimi është zbatuar nën udhëheqjen e profesoreshës Nikolina Popovska dhe përfshin 60 nxënës të moshës prej 15 deri 17-të vjet. Rezultatet kanë treguar se të rinjtë më shpesh shkruajnë me shkronja të mëdha latine, në vend të shenjave gramatikore vendosin simbole, përdorin dialekte, zhargone, fjalë angleze dhe kështu me radhë.
“Me përdorimin e gjuhës angleze në jetën e përditshme përmes rrjeteve sociale në fjalorin e të rinjve hyjnë fjalë me prejardhje angleze dhe shkurtesa. Ato dalëngadalë mbesin një pjesë jozyrtare e gjuhës amtare. Shembull: lajk, dhe shumë fjalë të tjera”, tha nxënësi Aleksandër Ivanoviq.