Rrjeti global i bizneseve të diasporës mbështet planet e Qeverisë për rimëkëmbje ekonomike

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mbajti një konferencë virtuale me përfaqësuesit e Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare nga 25 shtete të ndryshme të botës (SHBA, Evropë dhe Australi).

Kryeministri Hoti theksoi se nga qershori i këtij viti, Qeveria ka arritur të kursejë dhe realizojë një buxhet prej rreth 365 milionë euro për pakon emergjente dhe pakon për rimëkëmbjen ekonomike.  Ai qartësoi se nga pakoja për rimëkëmbje ekonomike prej 87 milionë euro, mbështetje financiare direkte kanë përfituar 36 mijë e 679 biznese me 206 mijë e 582 punëtorë.

Kryeministrit Hoti paralajmëroi fillimin e përgatitjeve për pakon e re për rimëkëmbje ekonomike në vlerë prej 182 milionë euro, për vitin 2021.  Po ashtu bazuar në rekomandimet e asociacioneve të biznesit, ai tha se Qeveria do të shqyrtojë edhe ndryshime të tjera, përkatësisht një pako të re fiskale gjatë vitit 2021.

Afaristët nga Rrjeti Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, duke pasur parasysh vështirësitë e të bërit biznes në kohë të pandemisë Covid -19, i dhanë mbështetje Qeverisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave që ndihmojnë sektorin privat në rrethanat e krijuara.

Kryeministri mirëpriti gatishmërinë  e tyre për të qenë pjesë aktive e zhvillimit të afarizmit në Kosovë, duke theksuar mundësitë e krijuara për investime nga marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington dhe nga ndihma përmes projekteve zhvillimore të BE-së për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej  27 miliardë eurove, për 5 vjetët e ardhshme.

Pas referimit për organizimin e rrjetit global dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe investime në Kosovë, u arrit pajtueshmëria që takimi vjetor i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare të mbahet në Prishtinë në fillim të vitit 2021.

Të ngjashme