Një 62 vjeçar ka ndërruar jetë pas një aksidenti trafiku që ka ndodhur në mesditën e së hënës në Shtërpcë.
Policia Rajonale e Ferizajt njofton se rasti ka ndodhur në periferi të Shtërpcës, ku sipas raporteve të para, ngasësi i traktorit me inicialet S.Z ka humbur kontrollin e mjetit me ç`rast është rrokullisur ku për pasojë dy persona kanë marrë lëndime serioze.
“Të lënduarit dërgohen në QKUK Prishtinë për tretman mjekësor, ku rreth orës 16:00, nga personeli mjekësor jemi njoftuar se pasagjeri S.D.(m/s/k 62 vjeç) nga lëndimet e pësuara ka ndërruar jetë”, njofton Policia.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Policia është duke hetuar rastin, ndërsa i dyshuari, pas lirimit nga tretmani mjekësor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.