Nga sot rruga e cila kalon nëpër Lagjen “Fidanishte” e që shpie për në Iliridë dhe Suhadoll, do të mbajë emrin e veprimtarit dhe intelektualit mitrovicas, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, para dhe pas luftës, Ramadan Kelmendi.
Vendosja e pllakës me emrin e veprimtarit të dalluar dhe intelektualit të njohur nga Mitrovica, Dr Ramadan Kelmendi, në këtë rrugë mjaft të frekuentuar është bërë në prani të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, nënkryetarit Safet Kamberi, familjarëve të të ndjerit, bashkëveprimtarëve dhe shumë shokëve, miqve e dashamirëve të tij.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri tha me rastin e vendosjes së pllakës me emrin e të ndjerit veprimtar Kelmendi, se kjo është një ngjarje më rëndësi, pasi që po e përjetësojmë një veprimtar e intelektual të dalluar që ka bërë shumë për Mitrovicën, Kosovën e çështjen kombëtare.
“Premtimin që e pata dhënë në ditën e varrimit të veprimtarit Ramadan Kelmendi, po e realizojmë sot dhe ndjehem shumë i lumtur për këtë. Siç po e shihni, kjo rrugë është shumë e frekuentuar dhe tani e tutje të gjithë ata që kalojnë nëpër të, do e kenë në vëmendje veprimtarin, atdhetarin dhe intelektualin tonë të shquar Kelemndi”, tha kryetari Bahtiri.
Ai na vazhdim tha se Mitrovica ia ka pas borxh këtë Ramadanit, sepse si askush tjetër, sidomos pas lufte, nuk e ka ngritur zërin dhe nuk është angazhuar më shumë ëpr zgjidhjen e problemeve të Mitrovicës dhe për shpëtimin e Trepçës.
“Ne sot mund t’i themi Ramadanit se Mitrovica është stabilizuar shumë në aspektin e sigurisë dhe se incidentet ndëretnike janë shumë të rralla. Po ashtu mund t’i themi se ura po rregullohet për tu liruar plotësisht për lëvizje e qarkullim të lirë dhe se përfundimisht “Trepça” i shpëtoi likuidimit”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Bashkëveprimtari i Ramadan Kelmendit, profesor Skender Skenderi, që të dy ish nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, para lufte, tha se kryetari i komunë Agim Bahtiri dhe Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, me këtë vendim, kanë nderuar dhe vlerësuar, jo vetëm atdhetarin Ramadan Kelmendi, por të gjithë delegatët e asaj kohe të Kuvendit të Kosovë dhe bashkëveprimtarët tjerë të tij.
“Meqë rrugën do ta shfrytëzojnë breza të tërë me shekuj, atëherë kjo do të thotë se aq do të kujtohet edhe veprimtari Ramadan Kelmendi”, tha ndër të tjera profesor Skenderi.
Në këtë event folën edhe Mulla Asllan Murati dhe familjarët e veprimtarit Ramdan Kelmendi, e bija Meleke Kelmendi dhe motra Emine Kelmendi-Jusufi.