Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, aktualisht është i vetmi politikan në Kosovë që risjellë në diskutim idenë e ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në prag të takimit të liderevë të Kosovës dhe të Serbisë që është paralajmëruar të mbahet në muajin shtator në Shtëpinë e Bardhë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haziri, insiston se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkëngjitet Kosovës dhe se në këmbim të kësaj, Serbia mund të marrë Komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës si dhe 17 fshatra.
“Shqiptarët si shumicë në këto tri komuna (Lugina e Preshevës), t’i bashkohen atdheut të vet dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, nuk e dëshirojnë, por janë të detyruar të jetojnë. Ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë, t’i kthehet Serbisë si shtet dhe të mos detyrohen të jetojnë në Republikën e Kosovës sepse nuk po e njohin dhe nuk po e duan”, thotë Haziri.
Haziri thotë se kjo çështje mund të zgjidhet sidomos tani kur Kosova është duke kaluar nëpër procese negociuese me Serbinë e nga të cilat synohet njohje reciproke.
Çështjen e lëvizjes së kufijve, Haziri e ka ngritur sidomos tani në prag të takimit të paralajmëruar për në shtator në Shtëpinë e Bardhë, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse delegacioni i Kosovës duhet që të iniciojë çështjen e shkëmbimit të territoreve qoftë në takimin e Uashingtonit apo në takimet e Brukselit, Haziri, nuk jep ndonjë përgjigje të prerë.
“Nuk besoj se është pjesë e tavolinës as në formatin e Brukselit as në formatin e takimit në Shtëpi të Bardhë sepse ekonomia do të jetë në fokus në takimin e Uashingtonit, ndërsa në Bruksel janë çështje krejt të tjera”, thotë Haziri.
Zyrtarë të LDK-së, vazhdimisht kanë kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufirit apo shkëmbimit të territoreve.
Vetë kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se nuk lejon që në kuadër të negociatave me Serbinë të diskutohen këto çështje.
Të mërkurën, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj duke iu referuar partnerit qeverisës, LDK-së dhe deklaratës së Lufti Hazirit për dhënien e Leposaviqit dhe 17 fshatrave, akuzoi këtë subjekt për paqëndrueshmëri në tema të interesit nacional.
Por, Lutfi Haziri thotë se çështja shkëmbimit të territoreve apo siç preferon ta quajë ai, korrigjimit të kufirit, është ide personale e tij dhe se LDK-ja në platformën e saj për negociatat me Serbinë, kundërshton lëvizjet e kufijve.
“Shumica politike e LDK-së dhe LDK-ja, kryetari i saj dhe strukturat e kanë platformën politike të bazuar në parimin e sovranitetit, territorit, kufirit dhe kushtetutës së Kosovës si të pacenueshme në dialog si dhe zotëri (Ramush) Haradinaj, (Hashim) Thaçi, (Kadri) Veseli nuk kanë nevojë të shqetësohen sa i përket qëndrimit të LDK-së”, thotë Haziri.
E drejta e bashkimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën, sipas Hazirit, bazohet në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 dhe në rezolutën e Kuvendit të Kosovës, për Luginën e Preshevës që u votua në vitin 2013.