RTK përballet me dorëheqje të re, largohet gazetarja Arlinda Sejda

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Pas një dekade pune në Radio Televizionin e Kosovës, gazetarja Arlinda Sejda ka njoftuar largimin e saj nga ky medium, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Në një postim publik, Sejda ka bërë të ditur se vendimi i saj është marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë të gazetarisë dhe integritetit profesional.

Ajo ka theksuar se dorëheqja vjen si pasojë e pamundësisë për të ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e saj profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë ndaj publikut.

“Gjatë gjithë karrierës sime kam besuar se gazetaria duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik. Këto parime më kanë udhëhequr në çdo vendim timin dhe mbeten arsyeja pse zgjodha këtë profesion, por edhe pse po e marr këtë vendim sot”, ka deklaruar ajo.

Sejda ka theksuar se dorëheqja e saj është një akt personal dhe profesional, i ndërmarrë për të ruajtur integritetin dhe për të vepruar në përputhje me ndërgjegjen e saj profesionale.

Ajo ka falënderuar kolegët me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite, si dhe qytetarët që i kanë besuar punës së saj, duke theksuar se besimi në gazetarinë e pavarur dhe të bazuar në fakte mbetet i palëkundur.

Sipas saj, gazetaria e lirë dhe profesionale është themel i një shoqërie demokratike dhe një vlerë për të cilën ia vlen të qëndrohet me dinjitet.

Të ngjashme