Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur konferencë ku është prezantuar raporti “Transformimi digjital i NVM-ve në Kosovë – Sfidat dhe mundësitë”, raporton Ekonomia Online.
Ky raport është i pari i këtij lloji që analizon gjendjen në sektorin e prodhimit, sektorin e shërbimeve, sektorin e bujqësisë dhe shfaq sfidat që hasin bizneset gjatë digjitalizimit.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se digjitalizimi është çështje e domosdoshme për të qenë pjesë e pakos transformuese të ekonomisë së vendit.
Rukiqi tha se ky projekt duhet të jetë më afatgjatë.
“Rëndësi ka kjo që po bëhet me qeverinë gjermane. Ne po hyjmë jashtë asaj tradicionales në një fushë krejt të re dhe që është pjesa e digjitalizimit që nënkupton mendësinë e të bërit biznes dhe është çështje e domosdoshme dhe me qenë pjesë e pakos transformues të ekonomisë sonë. Kur kemi filluar komunikimet me institucionet ne kemi prezantuar objektivat tona dhe kemi vendosur që të shkojmë bashkë me një partneritet që nuk përfundon me një fazë të një projekti, por të jetë më afatgjatë”.
Ai tha se në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të formohet qendra për transformim digjital e cila do të veprojë me kapacitet të plotë.
“Ne këtë proces e kemi dizajnuar në disa faza dhe pas kësaj në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të formohet qendra për transformim digjital dhe do të veprojë me kapacitet të plotë. Pjesë e punës do të jetë pjesa e informimit të duhur te kompanitë, po ashtu do të jetë edukimi dhe format e vazhdueshme të partneriteti të sektorit privat ka pasur interesim dhe ka një vullnet të madh”, tha Rukiqi, raporton EO.
Rukiqi tha se me formimin e Qeverisë do të përfshihen edhe institucionet në digjitalizim.
“Në kohën kur nuk ka një adresë në Qeveri për të diskutuar tutje se normalisht ky si studim është bazë e mirë për politikat e qeverisë dhe këtë po tentojmë me provu që të jenë bazë për Qeverinë, por në momentin që do ta kemi Qeverinë do të jetë përfshirja e institucioneve në digjitalizim”.
Ai i ka ftuar kompanitë që të kenë partnerë dhe ta kërkojnë asistencën e qendrës dhe përkrahjen e OEK-ut që janë plane biznesi për mundësi të lehtësimit të financimit të kompanive dhe transformimin e biznesit.
Eksperti për digjitalizim, Gerd Meier zu Koecker, transformimi digjital i sjellë dobi ekonomisë dhe për të konkurruar me vendet e tjera.
“Është e nevojshme që digjitalizimi të fillojë edhe këtu sepse ju jeni partnerët tanë. Transformimi digjital i sjellë dobi ekonomisë dhe për të konkurruar me Kinën. Dhe tekstili po vjen nga Azia në Ballkan dhe në Afrikën Veriore. Ekonomitë fitojnë nga sektori që kanë besuar se mund të vdesin para shumë vjetësh. Kompanitë me sukses transformohen dhe ato kanë fituar shumë nga ky transformim”.
“Domino është transformuar në mënyrë të dukshme nga një shpërndarës i picave dhe këtu nuk është një investim milionësh, por ata kanë punuar shumë. Brenga më e madhe është se kur është bërë investimi dhe ku duhet të bëhet për ta mbështetur transformimin. Ne i kemi përfshirë në raport 4 sektorë. Transformimi digjital ka rëndësi dhe shumica e kompanive e dinë që kjo duhet të ndodhë dhe vetëm një numër i vogël i tyre thanë që nuk duhet të ndodhë”
Ai tha se një nga të gjeturat e këtij raporti është se disa kompani po luftojnë për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e klientëve.
“E gjetura e dytë është se disa kompani po luftojnë për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e klientëve tanë. Digjitalizimi mund të arrijë që ata të bëjnë punë më të mirë. Duhet të vetëdijesohemi. Në sektor brengat kryesore janë shkathtësimi dhe financimi. Sektori me shitje në pakicë mund të jetë më i përparuar se të tjerët”.
Eksperti për digjitalizim, Dren Selimi, tha se kompanitë e kanë për nevojë të investojnë në promovimin e digjitalëve.
“Njëra prej kompanive rreth sukseseve të tyre në digjitalizim ka qenë fabrika e gypave në Gjakovë “Inova”. Dhe kjo e ka nxitë fabrikën të punojë në digjitalizim të linjave prodhuese në fabrikë. Kompanitë e kanë për nevojë të investojnë në promovimin e këtyre digjitalëve. Është një plus në treg që të rritet shpejtësia e infrastrukturës së internetit”, tha Selimi për Ekonomia Online.