Parlamenti i Rusisë do t’i kërkojë Ministrisë së Jashtme të vendit që ta shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së të drejtave transmetuese të “Deutsche Welle”-s, duke e akuzuar mediumin gjerman për shkelje të pretenduar të ligjit për paanësi politike, ka njoftuar të premten një ligjvënës rus.
Deputeti Vasily Piskarev ka thënë se hetimet parlamentare kanë gjetur dëshmi se transmetuesi publik ndërkombëtar i Gjermanisë ka nxitur rusët që të marrin pjesë në protestat e paautorizuara të kësaj vere, thuhet në uebfaqen e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, shkruan sot Koha Ditore.
Bordi mbikëqyrës i “Deutsche Welle”-s ka hedhur poshtë akuzat për anim apo ndërhyrje.
“Pas konsultave me drejtorin dhe pas ndërmarrjes së hetimeve të brendshme, bordi ka konstatuar se raportimet e DW-së nga Rusia janë të paqortueshme… Andaj bordi i hedh poshtë të gjitha sugjerimet se DW-ja ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Federatës Ruse”, thuhet në njoftimin e selisë së transmetuesit në Berlin.