Rusia dëbon një diplomat shqiptar

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Rusia tha se ka dëbuar një diplomat shqiptar si një kundërpërgjigje ndaj dëbimit të një diplomati rus nga ana e Tiranës. Njoftimi është bërë nga ana e ministrisë së Jashtme të Rusisë, e cila tha se sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Moskë është shpallur person i padëshiruar (non grata).

Ai është urdhëruar që ta lëshojë vendin brenda 72 orësh.

Më shumë se dy javë më parë, autoritetet shqiptare dëbuan sekretarin e parë të Ambasadës së Rusisë në Tiranë, pasi siç thanë, që nga muaji prill i vitit 2020, ky diplomat ka shkelur në mënyrë të “përsëritur” kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë në arsyetimin e saj pati thënë se çështja e shkeljes së masave të kufizimit ishte adresuar të ambasadori i Rusisë në Tiranë, por diplomati rus kishte vazhduar të mos i përfillte ato.

Pas kësaj mase të Tiranës, kishte reaguar ministria e Jashtme e Rusisë, duke e cilësuar këtë vendim si “provokim”.

Rusia pretendoi se diplomati i saj u dëbua përmes një “arsyetimi tërësisht të sajuar”.

Rusia akuzoi autoritetet shqiptare se po “bashkëpunojnë me forcat kundër Rusisë”, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në muajin prill.

Edhe në vitin 2018 Shqipëria kishte dëbuar dy diplomatë rusë. Në atë kohë ishte thënë se aktivitetet e tyre nuk ishin në përputhje me statusin e tyre diplomatik.

Tirana dhe Moska rivendosën raportet diplomatike më 1991, 30 vjet pasi regjimi komunist i Shqipërisë kishte prishur lidhjet e ngushta që kishte me Rusinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme