Rusia është “e gatshme në parim” të rifillojë bisedimet me SHBA-në dhe Ukrainën për t’i dhënë fund konfliktit, ka deklaruar një nga këshilltarët kryesorë të Vladimir Putinit.
Yuriy Ushakov foli pas takimit të Putinit me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, në qytetin rus të Shën Petersburgut, shkruan BBC.
Kievi po i bën presion Moskës për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve trepalëshe, të cilat u pezulluan në shkurt. Ushakov tha se një raund i ri bisedimesh mund të mbahet muajin e ardhshëm.
Witkoff udhëtoi drejt Moskës pasi të hënën u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe me udhëheqësit e Norvegjisë dhe Finlandës. Ushakov tha se idetë e tyre nuk ishin shumë “të dobishme”.
Zyrtarë të lartë nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh me synimin për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi në shkurt të vitit 2022, kur Putini urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Megjithatë, bisedimet u pezulluan, ndërsa Kremlini fajësoi sulmet “masive” ukrainase të muajit të kaluar ndaj Rusisë për ndërprerjen e tyre.
Duke folur për gazetarët pas bisedimeve në Shën Petersburg, Ushakov la të kuptohej se raundi i ri mund të mbahet rreth 10 nëntorit.