Rusia e Kina mohojnë ndërhyrjen në zgjedhjet e ShBA-së

Prishtinë | 12 Sht 2020 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Rusia dhe Kina i kanë hedhur poshtë akuzat e gjigantit teknologjik, “Microsoft”, se hakerë të lidhur me Moskën dhe Pekinin janë munduar të spiunonin njerëzit e fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe asaj të rivalit të tij demokrat, Joe Biden.

Këshilltarë të dy fushatave presidenciale po vlerësojnë rreziqet nga spiunët digjitalë anembanë botës, në kohën kur dy kandidatët kanë hyrë në fazën vendimtare të fushatës për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.

Raporti i “Microsoft”, ku përmendej edhe Irani, ka ardhur në kohën kur agjencia e lajmeve Reuters raportoi se firmat kryesore këshillimore të fushatës së Bidenit ishin paralajmëruar nga gjiganti kompjuterik se ishin shënjestruar nga hakerët rusë të mbështetur nga Qeveria e Rusisë. Rusia është akuzuar për ndërhyrje edhe në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Duke folur gjatë një konference të përbashkët për media në Moskë me homologun kinez, Vang Yi, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia dhe Kina asnjëherë nuk janë përzier në zgjedhjet amerikane. Lavrov ka thënë se akuzat amerikane ishin “të pabaza”.

“Rusia nuk është përzier, nuk po përzihet dhe nuk synon të përzihet në çështjet e brendshme të askujt, ose në proceset zgjedhore të askujt”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve të premten.

Kompania e teknologjisë tha se veprimet e raportuara duket se janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të sulmuar fushatat në SHBA dhe grupet e lidhura me to, përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

“Ajo që kemi parë është në përputhje me modelet e mëparshme të sulmeve që kishin në shënjestër jo vetëm kandidatët dhe stafin e fushatës, por edhe ata që i këshillojnë për çështjet kryesore”, tha Tom Burt, nënkryetar i “Microsoftit”, në një blog të postuar online.

“Këto aktivitete nxjerrin në pah nevojën që njerëzit dhe organizatat e përfshira në procesin politik të përfitojnë nga mjetet e sigurisë falas dhe me kosto të ulët, për të mbrojtur veten, derisa i afrohemi ditës së zgjedhjeve”, tha Burt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme