Rusia e lavdëron Serbinë që s’i vendosi sanksione, BE s’e ndëshkon

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja nuk do të vendosë sanksione kundër Serbisë dhe as nuk e ka në plan ta bëjë këtë. Mirëpo, ai tha se në vend të kësaj ka bisedime mes Brukselit dhe Beogradit për këtë çështje.

“Nuk ka sanksione të BE-së kundër Serbisë dhe nuk ka plane për ndonjë sanksion kundër Serbisë. Sanksionet e BE-së në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës synojnë dy vende, që janë padyshim përgjegjëse për këtë, përkatësisht Rusinë dhe Bjellorusinë, si dhe një numër individësh dhe kompanish nga këto vende. Aktualisht jemi në kontakt me autoritetet serbe për të sqaruar të gjitha shqetësimet e tyre lidhur me zbatimin dhe pasojat e sanksioneve”, ka thënë Stano në një konferencë për media.

Ai tha se shpreson se Serbia, si një vend kandidat për t’iu bashkuar Unionit, duhet të përafrohet me qëndrimet e BE-së meqë në rastin e sanksionimit të Rusisë është “çështje morale”.

“Ne presim dhe shpresojmë që Serbia gradualisht të zbatojë të gjitha vendimet. Këtu nuk bëhet fjalë për interesa ekonomike, as nuk është çështje zgjedhjesh, kjo ka të bëjë me parimet morale. Sanksionet e BE-janë vendosur për të parandaluar Putinin nga financimi i agresionit kundër një vendi të pavarur dhe sovran dhe popullit të tij. Kjo është ajo që ne po përpiqemi t’u shpjegojmë partnerëve tanë nga Ballkani Perëndimor dhe të gjithë botës”, tha Stano.

Nga ana tjetër, Stano lavdëroi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për përputhje të 100 përqind të qëndrimeve me BE-në kundër Rusisë.

Ndërkohë, Rusia i ka dhënë lëvdata Serbisë që s’iu bashkua vendeve të Perëndimit për të sanksionuar vendin me të cilin ka “interesa kombëtare”.

Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Yuri Philipson, për më tepër i qau hallin Serbisë që gjendet në një pozitë të vështirë për t’i rezistuar presioneve. Megjithatë, ai e konsideroi të guximshëm vendimin e Serbisë.

“Moska vlerëson shumë pozicionin e vendosur të partnerëve serbë në çështjet ndërkombëtare dhe se sa e vështirë është t’i rezistosh sulmit të huaj e arrogant që synon të detyrojë Beogradin të heqë dorë nga marrëdhëniet me Rusinë dhe vendet me interesa kombëtare”.

Phillipson për Vecernje Novosti tha se kjo është një detyrë e vështirë, por “e realizueshme” për Serbinë.

Kur ai u pyet se si e vlerësojnë qëndrimin e Serbisë, e cila e njeh integritetin territorial të Ukrainës, tha se “qëndrimi vendimtar i partnerëve serbë kërkon guxim të konsiderueshëm në çështjet e fushatës masive rusofobike të nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nën pretekstin e ngjarjeve në Ukrainë”.

Të ngjashme