Rusia sot ka hedhur poshtë pretendimet se po ndërhyn në garën presidenciale të vitit 2020, pasi ligjvënësit amerikanë u thanë që Moska po përpiqej të ndihmojë Donald Trump të fitojë një mandat të dytë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia nuk është duke ndërhyrë në zgjedhjet amerikane që do të mbahen këtë vit, duke thënë se këto janë thjesht ‘paranoja’.
“Fatkeqësisht, do të ketë gjithnjë e më shumë lajme të tilla pasi t’i afrohemi zgjedhjeve”, tha ai në Moskë.
“Sigurisht, ata nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën”.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane u thanë ligjvënësve të enjten e kaluar se regjimi i Vladimir Putin po rifillonte përpjekjet e tij për të ndërhyrë në politikën amerikane, transmeton Telegrafi.
Komiteti i Inteligjencës së Shtëpisë u tha në një konferencë me dyer të mbyllura që operativët rusë po përpiqeshin të ndikojnë në garën e vitit 2020 në favor të Trump dhe të mbjellin mosmarrëveshje në elektoratin amerikan, pasi shefat e spiunëve besojnë se ata e bënë atë në vitin 2016.