Një panel i Agjencisë Botërore Kundër Dopingut tha se Rusia mund të përballet me ndalesë katërvjeçare në garat sportive, për shkak të mosrespektimit të Kodit Botëror Anti-Doping.
Paneli tha se rekomandimi bazohet në mospërputhjet që dalin nga rishikimi i disa të dhënave të siguruara nga laboratori i Moskës në janar.
Komiteti Ekzekutiv i Agjencisë Botërore Kundër Dopingut tha se do ta shqyrtojë këtë rekomandim dhe se do t’i propozojë pasojat më 9 dhjetor.
Agjencia Botërore Anti-Doping ka dokumentuar më shumë se 1,000 raste të dopingut në dhjetëra sporte në Rusi, veçanërisht në Lojërat Olimpike Dimërore, që Rusia i ka organizuar në Soçi, në vitin 2014.
Rusia është shpallur fajtore për një përpjekje të organizuar nga qeveria, për të fshehur mostrat e atletëtve që përdornin substanca të ndaluara, në periudhën 2011-2015.
Për pasojë, Agjencia e Rusisë Anti-Doping dhe Federata Ruse e Atletikës janë përballur me disa ndëshkime.
Rusia është ndaluar po ashtu nga pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Dimërore, që janë mbajtur në Pjongçang të Koresë së Jugut më 2018, megjithëse disa sportistë rusë janë lejuar të garojnë si neutralë, nën flamurin olimpik.
Zbulimi i plotë i të dhënave nga laboratori i Moskës ka qenë kusht kryesor për heqjen e kufizimeve ndaj Rusisë.
Por, paneli i Agjencisë Botërore Anti-Doping tha se të dhënat e dorëzuara “nuk janë as të plota, as krejtësisht autentike”.