Rusia: Perëndimi fabrikoi prova për sulmet kimike në Siri

Prishtinë | 22 Qer 2018 | 15:33 | Nga

Moska tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë fabrikuar prova për të implikuar forcat e Qeverisë siriane në sulmet me armë kimike kundër civilëve.

Zyrtari i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Kirillov, komandant i forcave të rrezatimit, kimike dhe biologjike, tha se sulmi i dyshuar kimik në qytetin Khan Sheikhon, më 4 prill, ka qenë “provokim i organizuar nga grupi sirian i ndihmës Helmetat e Bardha dhe sponsorët e tyre”.

Qeveritë perëndimore dhe inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë fajësuar forcat e Qeverisë siriane për këtë sulm, i cili ka lënë së paku 74 njerëz të vrarë dhe mbi 550 të plagosur.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Qeveria siriane ka gjetur pajisje për prodhimin e armëve kimike në qytetin e Dumës, pasi ky i fundit ka rënë nën kontrollin e luftëtarëve antiqeveritarë.

“Një pjesë e pajisjes, e cila ishte profesionale nga pikëpamja e ekspertëve, fatkeqësisht është prodhuar në vendet e Evropës Perëndimore”, tha Zakharova, duke shtuar se Moska është e gatshme të ofrojë dëshmi të këtij pretendimi.

Komentet vijnë para se Kombet e Bashkuara të dalin me një raport për një sulm të dyshuar kimik që ka ndodhur muaj më parë në qytetin Duma.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme