Rusia vazhdon të shtojë trupat ushtarake pranë Ukrainës

Prishtinë | 24 Dhj 2021 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Imazhe satelitore të regjistruara nga një kompani private amerikane tregojnë se Rusia ka vazhduar javët e fundit të rrisë praninë e saj ushtarake në Krime, të cilën e aneksoi në vitin 2014, si dhe pranë Ukrainës. Ky zhvillim vjen ndërsa Moska vijon të rrisë trysninë ndaj Shteteve të Bashkuara për bisedime rreth atyre që i quan garanci për siguri.

Rusia kërkon nga NATO të ndalë zgjerimin e saj drejt lindjes dhe garanci se aleanca ushtarake perëndimore, nuk do të vendosë pajisje ushtarake sulmuese në Ukrainë apo në vendet e tjera fqinje.

Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur imazhet e fundit të ofruara nga kompania ‘Maxar Technologies’ me bazë në Shtetet e Bashkura. Kremlini përsëriti të premten se gëzon të drejtën për të lëvizur forcat e veta në territorin rus, siç e sheh të arsyeshme dhe akuzoi vendet perëndimore për zhvillimin e manovrave ushtarake provokuese pranë kufijve rus.

Uashingtoni, Brukseli dhe Kievi kanë akuzuar Rusinë se që nga tetori vazhdon të dislokojë një numër të madh trupash pranë kufirit me Ukrainën, pas një rritjeje të pranisë së trupave ushtarake për një kohë të shkurtër në muajin prill, për të cilin kompania ‘Maxar’ publikoi gjithashtu imazhe satelitore. Presidenti Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë botërorë thonë se Moska duket se po planifikon mundësinë e një sulmi ndaj Ukrainës në muajin e ardhshëm, diçka që Rusia e ka hedhur poshtë vazhdimisht.

Imazhet e publikuara të enjten në mbrëmje tregonin një bazë në Krime, mbushur me qindra automjete të blinduara e tanke që nga 13 dhjetori. Një imazh satelitor ‘Maxar Technologies’, i së njëjtës bazë regjistruar në muajin tetor tregonte se ajo ishte gjysmë bosh.

I pyetur të premten në lidhje me rritjen e pranisë së trupave ruse pranë Ukrainës, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska po vepronte për të garantuar sigurinë e saj.

Presidenti Biden ka kërcënuar ndër të tjera me masa të forta ekonomike nëse Rusia sulmon Ukrainën. Sipas një zyrtari amerikan, sanksionet e reja mund të përfshijnë kontrolle të ashpra të eksporteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme