Rustemi dënon gjuhën kërcënuese ndaj Haradinajt: Nuk kam asnjë lidhje, distancohem publikisht

Prishtinë | 13 Gus 2026 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rustemi, ka dënuar gjuhën kërcënuese të përdorur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, duke u distancuar nga deklaratat dhe personat që mund të kenë bërë thirrje të tilla.

Rustemi, në një prononcim në T7, tha se një gjuhë e tillë është e papranueshme në çdo rrethanë, qoftë në Kuvend apo në rrjetet sociale.

“Një gjuhë e tillë nuk mund të përdoret jo vetëm në sallën e Kuvendit, në ambientet, por nuk mund të përdoret askund, as në rrjetet sociale, ndaj askujt. Domethënë, as ndaj z. Haradinaj, por as ndaj ndonjë politikani tjetër. Është thjesht diskurs i papranueshëm, që meriton edhe të dënohet dhe për të cilin e dënoj publikisht edhe distancohem personalisht”, deklaroi Rustemi.

Ai mohoi të ketë lidhje me personin për të cilin janë ngritur pretendime publike, duke thënë se edhe mbrëmjen e kaluar kishte reaguar ndaj aludimeve për lidhje kriminale.

“Unë kam thënë publikisht mbrëmë që ky aludim për lidhje kriminale është i pabazuar dhe natyrisht e kam paralajmëruar, pa ditur se vërtetësinë individuale, por edhe mediat të cilat e kanë plasuar si të tillë”, tha ai.

Rustemi foli edhe për prejardhjen e tij familjare, duke sqaruar se vjen nga fshati Dobratin i Komunës së Lipjanit dhe familja Bugiqi.

Ai theksoi se, pavarësisht se mund të ekzistojë ndonjë lidhje familjare me persona të caktuar, kjo nuk nënkupton se pajtohet me deklaratat apo veprimet e tyre.

Të ngjashme