Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, po rendiste një sërë ankesash ndaj aleatëve të NATO-s të mërkurën pasdite në Zyrën Ovale, kur Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, e ndërpreu për t’i treguar disa grafika.
Rutte, ish-kryeministër i Holandës, i cili ka fituar reputacion si lideri evropian më i aftë në menaxhimin e humorit dhe kritikave të Trumpit, kishte ardhur i përgatitur me materiale ilustruese. Duke vendosur posterë në Zyrën Ovale për të “treguar se çfarë ka arritur ky president”, grafikat e tij tregonin një rritje të ndjeshme të shpenzimeve aktuale dhe të parashikuara evropiane për mbrojtjen, raporton “The New York Times”.
“Kjo grafikë flet për ‘Trilionin e Trumpit’”, tha Rutte, duke lëvizur nëpër Zyrën Ovale si një profesor i shkencave politike që po shpjegon bazat e financimit të mbrojtjes para një klase ku ishte i pranishëm edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Ai iu kthye vitit 2017, kur Trump mori detyrën për herë të parë, për të treguar “shumën totale shtesë të shpenzuar nga evropianët dhe kanadezët”, duke u fokusuar veçanërisht në dy vitet e fundit, kur shpenzimet e NATO-s ishin “mbi 250 miliardë dollarë”.
“Mund t’ju siguroj se kjo është për shkak të Rusisë dhe kërcënimit që ajo paraqet”, tha Rutte, ndërsa zemërimi fillestar i presidentit Trump ndaj aleatëve dukej se po zbehej. “Por jam gjithashtu plotësisht i bindur se ju, si president i Shteteve të Bashkuara”, bëtë ndryshimin, “duke shtyrë përpara diçka që nuk ishte arritur që nga koha e Eisenhowerit: që evropianët të barazonin shpenzimet e tyre të mbrojtjes me ato të Shteteve të Bashkuara”.
“Kjo është prova juaj”, tha ai, duke e përfunduar prezantimin me një vërejtje mbi numrin e vendeve të punës që këto shpenzime shtesë kanë krijuar në ShBA.
Presidenti Dwight D. Eisenhower, natyrisht, nuk kishte kërcënuar ta minonte NATO-n; përkundrazi, ai ishte një nga arkitektët kryesorë të aleancës, duke u mbështetur në përvojën e tij si komandant suprem i forcave aleate. Por Rutte e kuptonte jo vetëm audiencën, por edhe objektivin e tij: ruajtjen e qetësisë para mbërritjes së Trumpit në Ankara të Turqisë për samitin e NATO-s që nis më 7 korrik. Siç u shpreh një diplomat evropian më herët gjatë javës, qëllimi i atij samiti është modest – të shmanget një shpërthim i Trumpit për shkak të hezitimit të aleatëve të NATO-s për të mbështetur operacionin ushtarak kundër Iranit, të cilin shumë prej tyre e konsiderojnë të pamenduar mirë dhe të paligjshëm.
Megjithatë, Rutte nuk ishte plotësisht pajtues gjatë takimit në Zyrën Ovale. Në një moment, ai e ndërpreu Trumpin teksa ky ankohej se vendet evropiane po investonin shumë ngadalë në sigurinë e tyre dhe po tregonin pak gatishmëri për të mbështetur operacionet që lidhen me Iranin. Rutte tha se nuk pajtohej “paksa” me këtë vlerësim.
“Ka pasur raste të izoluara për të cilat jeni vërtet i zhgënjyer, por në përgjithësi, aleatët tuaj evropianë kanë qenë aty”, tha ai.
Testi i Trumpit ishte i thjeshtë.
“Thjesht të jenë besnikë”, tha ai kur u pyet se çfarë dëshironte nga aleatët amerikanë në Evropë. “Unë dua vetëm besnikërinë e tyre”.
Më herët, ai kishte veçuar disa vende për kritika specifike, duke filluar me Italinë, Britaninë e Madhe dhe Spanjën.
Për kritikët e Ruttes, përfshirë disa aleatë të NATO-s, qasja e tij ndaj Trumpit është tepër pajtuese. Por Rutte e ka bërë të qartë, si në deklarata publike ashtu edhe në biseda private, se ai beson se suksesi i tij në krye të aleancës do të matet kryesisht nga aftësia për ta mbajtur ShBA-në në qendër të saj. Një tjetër objektiv është rikthimi i besimit të zbehur të liderëve evropianë se, nëse trupat ruse do të depërtonin qoftë edhe disa kilometra në territorin e NATO-s, ShBA-ja do të ishte pjesë e një përgjigjeje të bashkuar.
Trump nuk duket se ka gjasa të japë garanci të tilla në mënyrë të qartë. Gjatë mandatit të tij të parë, ai refuzoi madje të përmendte Nenin 5 të traktatit të NATO-s, i cili përmban zotimin për reagim kolektiv ndaj kërcënimeve, në një fjalim në selinë e aleancës. Në fakt, ai e bëri të qartë se nuk do të merrte pjesë në samitin e ardhshëm nëse ai nuk do të organizohej nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Nuk do të kisha shkuar për shumicën e njerëzve”, tha Trump të mërkurën. “Por ai më telefonoi. Më tha: ‘Të lutem, po e mbaj në Turqi. Duhet të jesh aty. Shtetet e Bashkuara duhet të jenë aty’. Dhe prandaj po shkoj, nga respekti për Presidentin Erdogan”.
Trump la të kuptohej gjithashtu se ShBA-ja ka gjasa t’i lejojë Turqisë të blejë avionët luftarakë F-35 Lightning II, gjë që Uashingtoni e kishte ndaluar prej kohësh.
Turqia u përjashtua nga programi F-35 në vitin 2019, gjatë administratës së parë Trump, pasi Erdogani bleu sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400 Triumf. Zyrtarët amerikanë kishin frikë se Rusia mund të siguronte të dhëna mbi programin F-35 përmes Turqisë.
Trump nuk tha asgjë për këtë përplasje kur sinjalizoi se ka gjasa ta heqë ndalimin në javët e ardhshme.