Shkencëtarët italianë kanë prezantuar fotografinë që tregon mutacionet e variantit të ri të koronavirusit – Omicron, shkruan Ansa.
Për të besohet se ka gjenezën në Afrikën e Jugut, e ky variant tashmë ka alarmuar shumë vende në mbarë botën, transmeton Telegrafi.
Ilustrimi i variantit të ri që të shtunën e prezantoi spitali italian Bambino Gesu, shfaq Omicronin krahas variantit Delta – një prej varianteve më ngjitës të coronavirusit.
Varianti Omicron ka dukshëm më shumë mutacione sesa Delta, në veçanti në rajonet që në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pasur kontakt me qelizat e njeriut. Vatrat e mutacionit janë shënjuar me ngjyrë të kuqe në fotografinë që e kanë zbuluar shkencëtarët.
“Kjo është fotografia në spektrin e gjerë, është një model i bërë në laborator”, tha përfaqësuesi i spitalit.
Ndryshimet sugjerojnë që virusi ndoshta është përshtatur mirë te njerëzit, kështu të paktën pretendojnë shkencëtarët. Megjithatë, është herë të thuhet nëse këto mutacione së bashku e bëjnë Omicronin më të rrezikshëm krahasuar me variantet paraprake të coronavirusit.
Varianti i ri, që Organizata Botërore e Shëndetësisë të premten e cilësoi si “variant shumë brengosës”, për herë të parë u zbulua në Botsvanë në fillim të këtij muaji.
Besohet se ky variant tashmë është bërë dominues në një prej rajoneve të Afrikës së Jugut, duke luftuar me variantet e tjera të coronavirusit.
Varianti i ri tashmë është përhapur edhe jashtë kontinentit të Afrikës, ku në Hong Kong, Izrael, Belgjikë, Gjermani dhe Britani të Madh janë konfirmuar rastet e para, e në vendet e tjera po hetohen dyshimet me infeksione të këtij varianti.
Omicroni tashmë ka nxitur kufizime të reja, ku 27 shtatë vendet anëtare të BE-së kanë ndërprerë trafikun ajror me shtatë vendet e Afrikës së Jugut.
Vendet jashtë bllokut, përfshirë SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, kanë aplikuar kufizime të ngjashme, derisa Izraeli po vazhdon me masat më të ashpra deri më tani – duke ua ndaluar hyrjen në këtë vend të gjithë të huajve.