Për të matur sasinë e pushtetit të Presidentit francez, të cilin disa politologë e citojnë si “monark republikan” ose “si një lloj mbreti”, duhet analizuar pushteti i tij.
Në Paris ai nis që në daljen e tij në Pallatin Elysee përballë publikut. Përpara se të dalë Presidenti, del një shërbëtor me veshje të posaçme dhe me doreza të bardha, i cili njofton mbërritjen e “Monsieur le Président de la République” dhe të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë.
Të gjithë. Kjo është pamja e jashtme. Pushteti i vërtetë i Presidentit francez, i parë në detaje, është i habitshëm dhe i kalon kompetencat e të gjithë kryetarëve të tjerë të shteteve evropiane.
Politika e jashtme dhe e sigurisë
Presidenti në Francë përcakton politikën e jashtme dhe është kryekomandant i Forcave të Armatosura. Ai mund të vendosë i vetëm për përdorimin e armëve bërthamore. Për Francën, është Presidenti vetë që i drejton të gjitha delegacionet franceze në të gjitha takimet e rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare. Ambasadorët francezë në botën e jashtme akreditohen nga Presidenti i shtetit.
Vendimet për personelin
Presidenti i shtetit francez emëron (dhe shkarkon!) kryeministrin dhe ministrat e tij. Monsiéur le Président drejton mbledhjet e kabinetit dhe lejohet madje të përcaktojë rendin e ditës së tyre. Veç kësaj ai ka të drejtë të shpërbëjë edhe Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja.
Bashkëvendosja në drejtësi
Ajo që në Gjermani dhe në shumë shtete të tjera është e papërfytyrueshme për shkak të ndarjes së rreptë të pushteteve, është e mundur në Francë. Këtu, Presidenti i shtetit madje mund të emërojë edhe anëtarët e Këshillit Kushtetues (Conseil constitutionnel) – deri dhe Presidentin e tij. Me këtë ai përcakton peshën politike që vendos si interpretohet kushtetuta.
Politika e brendshme
Presidenti i shtetit francez mund të kthejë mbrapsht projektligje dhe të kërkojë një debat të dytë për projektligjet. Kjo kërkesë, sipas nenit 10 të kushtetutës, atij nuk mund t’i kundërshtohet.
Presidenti francez mund t’i drejtohet në çdo kohë me mesazhe Parlamentit dhe të ushtrojë në këtë mënyrë ndikim në politikë. Në rast krize, kur duket se funksionimi i rregullt i shtetit nuk është më i garantuar, kushtetuta franceze lejon me nenin 16, që Presidenti të ushtrojë pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv. Për gjendjen e jashtëzakonshme nuk ka kohëzgjatje maksimale. Themeluesi i republikës së pestë aktuale, Charles de Gaulle i aplikoi rregullat për gjendjen e jashtëzakonshme pas puçit të gjeneralëve në Algjeri në vitin 1961.
Kufizimi i pushtetit
Meqenëse Presidenti francez përcaktohet në zgjedhje direkte nga populli dhe jo nga partitë, ai nuk ka pse tregohet i kujdesshëm as ndaj partisë së tij. Disa herë megjithatë ka ndodhur, që Kryeministri, si njeriu i dytë në shtet, e detyroi Presidentin e shtetit që të bëjë kompromise. Shkaku: kryeministri ishte nga kampi kundërshtar politik dhe Presidenti i shtetit nuk e kishte me vete shumicën parlamentare. Juristët e së drejtës së shtetit e quajnë këtë “kohabitacion”. Me fjalë të tjera: një martesë politike e imponuar.
Për këtë përqendrim pushteti, kohët e fundit është diskutuar shumë dhe janë ushtruar edhe kritika të ashpra.
Këto kritika mbështeten para së gjithash nga pyetja që shtrohet me ankth, se çfarë mund të kishte bërë me këtë post Marine le Peni, po t’i kishte fituar zgjedhjet. Në vitin 2008 u ndërmor një reformë kushtetuese, me të cilën u forcua roli i Këshillit Kushtetues. Në vitin 2002, kohëzgjatja e mandatit të Presidentit francez u shkurtua nga shtatë në pesë vjet. Kjo në një kohë kur Presidenti francez gëzon “imunitet” juridik, për aq kohë sa është në post. Një shkarkim është i mundur vetëm në raste “shkeljesh të rënda”, kur në Parlament votojnë për këtë dy të tretat e deputetëve.
Paratë dhe luksi
Presidenti francez nuk duhet t’i japë llogari askujt, si vepron ai me kontributet shtesë, përveç të ardhurave të tij prej rreth 240.000 eurosh në vit (80.000 euro më pak se Angela Merkel), transmeton DW. Këtu bën pjesë banimi në Pallat ose në vila pushimesh. Këtu bëjnë pjesë edhe të gjitha vaktet. Dhe një qilar vere i mbushur plot në Pallatin Elysèe.