“Jam imun”, kështu kishte thënë presidenti amerikan Donald Trump, kur iu rikthye fushatës elektorale, pasi kapërceu sëmundjen me COVID-19. Madje u tha të pranishmëve në tubim se do të donte që t’i puthte të gjithë.
“Personi më i rëndësishëm në botë që u infektua me koronavirus, në fund nuk i puthi fare njerëzit në publik dhe bëri mirë që nuk i puthi. Sepse sipas studimeve aktuale, nuk dihet faktikisht nëse presidenti është imun apo jo”, ka shkruar të enjten “Deutsche Welle”.
Çështja e imunitetit ka shoqëruar pandeminë e koronës që nga ditët e para. Duke pasur parasysh rritjen e madhe të numrit të të infektuarve në Europë, Amerikën Veriore dhe Amerikën Jugore, çështja e imunitetit është kthyer në temë të rëndësishme diskutimi, transmeton KOHA.
Një studim i ri ka zbehur shpresat për ekzistencën e imunitetit natyror, pa vaksinë. Studiues të Kolegjit Mbretëror të Londrës e kanë hulumtuar këtë çështje te 365.000 persona në Angli dhe kanë gjetur prova se imuniteti i krijuar nga infektimi natyror bie me kalimin e kohës.
Por, çfarë dihet deri tani, shpërfaqet në verifikimin e fakteve të bëra nga DW-ja.
Sa zgjat imuniteti pas sëmundjes me COVID-19?
Kjo çështje varet nga shumë faktorë. Për shembull nga mosha, siç thotë një studim i bërë nga kolegji londinez: “Te njerëzit me moshë më të madhe se 75 vjeç është vënë re kthim më i shpejtë i antitrupave të krijuar sesa te më të rinjtë”. Po kështu, sipas verifikimeve të DW-së, krijimi i antitrupave varet nga grada e sëmundjes së kaluar.
“Për çudi, numri i antitrupave ka rënë më pak tek punonjësit e sistemit të shëndetësisë, gjë kjo që tregon për përsëritje të infektimit ose ekspozim më të madh ndaj virusit të koronës”, kanë thënë studiuesit.
Pra imuniteti zgjat disa javë ose disa muaj, varësisht prej personave që infektohen.