Sa “kushton” Qeveria Haradinaj?

Prishtinë | 09 Sht 2017 | 12:56 | Nga

Secila parti që ka ardhur në pushtet, në vendin më të varfër në rajon, rritjen më të madhe që ia ka sjellë Kosovës është numri i ministrive. Madje për këtë mbanë rekordin në Europë, shkruan Gazeta Fjala.

Krejt kjo, sipas raporteve të organizatave jo qeveritare, bëhet për t`i rehatuar militantët partiak në pozitat udhëheqëse.

Kështu edhe Qeveria Haradinaj që përbëhet nga koalicioni PAN dhe AKR-ja, do të ketë numër të madh të ministrive. Më saktësisht, do të ketë 22 ministri.

E numri i madh i tyre përveç që është vlerësuar si i panevojshëm nga monitorues të ekzekutivit, i kushton Kosovës edhe në aspektin financiar.

Rreth 1 mijë e 474 euro është paga e një ministri, pa llogaritur këtu mëditjet. Që i bie se për çdo muaj nga Buxheti i Kosovës vetëm për pagat e ministrave do të ndahen mbi 30 mijë euro.

Edhe më shumë buxhet nga praktika e deritashme shpenzohet për të gjithë zëvendës ministrat e stafin tjetër politik.

Se numri i madh i ministrive po bëhet vetëm për të rehatuar militantët, këtë e kishte thënë për media edhe opinionisti Fadil Lepaja.

“Gjithsesi numri i ministrive dhe pozitave tjera të larta politike në to si zëvendësministra, këshilltarë etj, është tepër i madh dhe është ndërtuar si i tillë ky sistem për të rehatuar një numër të madh të elitës partiake, e cila jeton nga politika dhe përfiton nga ajo. Vetëm krahasimi në mes të Zvicrës dhe Kosovës në këtë plan mjafton për ta kuptuar se sa tragjikomike është gjendja në këtë fushë”, ka vlerësuar Lepaja.

E përfaqësues të partive të caktuara politike ishin shprehur njëzëri se është koha që të reformohet administrata publike, ku parashihet edhe zvogëlimi i ministrive.

Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së kishte thënë se nëse partia e tij qeveris me vendin qysh në fillim të mandatit do të zvogëlojë numrin e ministrive.

“Po do ta ulim numrin e ministrive. Nuk do jetë më e madhe se 12 resorë, me një zv.kryeministër funksional e nga një zv.ministër.”, ishte shprehur Haziri.

Ndërsa Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje ndonëse nuk kishte dhënë një afat kohorë ajo kishte thënë se në 40 prioritetet për Republikën të cilat i kanë prezantuar gjatë fushatës parashihet edhe reformimi i administratës publike e cila nënkupton edhe zvogëlimin e numrit të ministrive.

Pantina kishte shtuar se për këtë çështje do diskutojnë me partnerin e ardhshëm qeverisës si dhe do marrin edhe pëlqimin e Kuvendit.

“Përderisa zvogëlimi i numrit të zv.ministrave bëhet menjëherë me emërimin e qeverisë së re, zvogëlimi i ministrive mund te jetë një proces që merr pak më shumë kohë pasi vendime të tilla kanë ndikim edhe tek shërbyesit civil dhe kjo nuk mund të bëhet me një vendim të vetëm.

Kurse Zafir Berisha nga NISMA për Kosovën parti kjo pjesë e koalicionit me PDK-në e AAK-në kishte thënë se si deputet do të ngrit zërin për zvogëlimin e kabinetit qeveritar, por prapë përgjegjësinë për këtë ia kishte lënë kryeministrit që do të qeverisë.

“Si deputet i legjistaturës së ardhshme do të kërkoj që kabineti qeveritar mos të jetë fontanë dëshirash i partive politike por të jetë një kabinet efikas dhe me numër në përputhje me realitetin financiar në vend. Mund të them se numri i deritashëm i ministrive është diçka skandaloze, andaj kryeministri ardhshem duhet të ketë parasysh edhe këtë gjë e cila ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e varfër të vendit”, ishte shprehur Berisha.

Ndarja e “tortës”

Qeveria Haradinaj përbëhet nga koalicioni PAN dhe AKR-ja. Ndonëse është kandidat për kryeministër, partisë së Ramush Haradinajt do t’i takojnë vetëm dy ministri, ajo e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe e Infrastrukturës.

Partia Demokratike e Kosovës, në këtë Qeveri ka numrin më të madh të ministrive. PDK-ja do të udhëheq me Ministrinë e Financave, Shëndetsisë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Integrimeve, Drejtësisë, si dhe Ministrinë e re, atë të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Partia e Fatmir Limës, do të ketë tri ministri. Nisma për Kosovën do të udhëheq me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Ndërsa partisë se Behxhet Pacollit, e cila hyri në koalicion në momentin e fundit, i janë ndarë katër resorte. AKR-së do t’i takojnë Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Mjedisit.

Numër i madh i ministrive në krahasim me vitet e kaluara i janë ndarë edhe Listës Serbe. Listës Serbe i takojnë Ministria për kthim, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministria e Bujqësisë.

Ministria e Adminitratës Publike dhe Ministria pa portofol do të drejtohen nga komunitetet jo serbe.

Në këtë qeverisje hapësirë i është dhënë edhe Listës “Rugova”. Dardan Gash do ta drejtojë ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, e që është ministria e vetme që i është ndarë listës “Rugova”.

Secilës prej këtyre partive do tu takojë edhe zëvendëskryeministri.

Ministrat në Qeverinë Haradinaj

Ndonëse ende nuk janë bërë zyrtare emrat e ministrave nga të gjitha partitë, zëra brenda partive po deklarojnë se kush mund të jenë disa nga ta.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj ka konfirmuar se lideri i AKR-së do të ushtrojë detyrën e zëvendëskryeministrit të parë dhe atë të ministrit të punëve të jashtme.

Zyberaj ka bërë të ditur se postin e ministrit të Punëve të Brendshëm do ta ushtrojë Flamur Sefaj, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do ta drejtojë Albena Reshitaj, kurse Valdrin Lluka do ta udhëheq Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Poashtu Pal Lekaj e ka konfirmuar se ai do të jetë ministër i Infrastrukturës, ndërsa Rrustem Berisha ministër i FSK-së.

Nga lista Serbe , tashmë dihet se kush do të jenë ministra.

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal do të jetë Ivan Teodosijeviq, i cili ka udhëhequr këtë ministri që nga mandati i kaluar.

Ministri për Kthim dhe Komunitete do të vazhdojë të jetë Dalibor Jevtiq, i cili në tri mandate ka drejtuar këtë ministri, ndërsa ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Nenad Rikalo, e që aktualisht është anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë që nga PDK-ja pritet të bëhën të shtunën publik, emrat e ministrave, por që burime të mediave brenda PDK-së, thonë të jenë këta:

“Enver Hoxhaj do të jetë zëvendëskryeministër, Agron Mustafa- ministër i Financave, Besim Beqaj ministër i Shëndetësisë, Uran Ismajli ministër i Inovacionit, Abelard Tahiri ministër i Integrimeve dhe Diasporës, Dhurata Hoxha ministre e Drejtësisë dhe Rexhep Hoti ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve.”

Nga lista Rugova, Dardan Gashi do të jetë Ministër i Diasporës dhe Inestimeve Strategjike.

Ndërsa Nisma për Kosovën, do ti bëjë publik pak para fillimit të seancës që mbahet të shtunën në ora 16:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme