Sa shumë dokumente kërkojnë ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së për vizë

Prishtinë | 22 Nën 2022 | 10:34 | Nga Agron Hoti

Sa shumë dokumente kërkojnë ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së për vizë D (për studime) për qytetarët e Kosovës?

1. Fillimisht ju duhet t’i dërgoni një email ambasadës përkatëse, e cila ju cakton më pas terminin për aplikim si dhe ju dërgon formularin e aplikimit që duhet të plotësoni si dhe listën e dokumenteve që duhet dorëzuar në ditën e aplikimit;

2. Emaili, përmes të cilit është bërë termini, duhet të printohet dhe t’i bashkëngjitet aplikacionit në ditën e aplikimit;

3. Dy fotografi për vizë që kushtojnë 5 EUR;

4. Duhet ta plotësoni formularin e aplikimit, ta ngjisni njërën fotografi mbi të dhe ta nënshkruani.

5. Kopja e pasaportës duhet të jetë e vulosur me vulë apostile pranë Agjencisë së Regjistrit Civil (ARC) që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kushton 10 EUR;

6. Vula apostile e kopjes së pasaportës duhet të përkthehet më pas në gjuhën e shtetit pritës që kushton 10 EUR, kurse në disa gjuhë të vendeve më të vogla deri në 20 EUR;

7. Dëshmi që nuk jeni nën hetime nga Policia e Kosovës. Parprakisht duhet të bësh një kërkesë në Stacionin e Policisë ku jeni me adresë dhe pas dy-tre ditësh e merr Vërtetimin e Policisë. Kjo është pa pagesë;

8. Pasi të merret Vërtetimi i Policisë duhet atij duhet dhënë vulë apostile pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), e cila kushton 11 EUR. Për t’i dhënë një vulë apostile, paraprakisht duhet bërë termini përmes sistemit online të MPJ-së;

9. Vërtetimi i Policisë me vulë apostile duhet të përkthehet në gjuhën e shtetit pranues që kushton 10 EUR, kurse në gjuhën e vendeve më të vogla deri në 20 EUR;

10. Vërtetim Gjykate që nuk jeni nën hetime. Për ta marrë atë duhet të bëhet një kërkesë në sistemin online të gjykatës përkatëse dhe pas dy-tre ditësh do ta merrni vërtetimin, i cili kushton 16 EUR;

11. Vërtetimi i Gjykatës që nuk jeni nën hetime duhet më pas të jetë me vulë apostile pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), i cili kushton 11 EUR. Për t’i dhënë vulë apostile, paraprakisht duhet bërë termini përmes sistemit online të MPJ-së;

12. Vërtetimi i Gjykatës me vulë apostile duhet të përkthehet në gjuhën e shtetit pranues që kushton 10 EUR, kurse në gjuhën e vendeve më të vogla deri në 20 EUR;

13. Sigurimi shëndetësor për 60 ditë qëndrim, të cilin mund ta shfrytëzoni për një vit, kushton 60 EUR;

14. Dëshmi nga banka se sa mjete financiare keni në xhirollogari;

15. Kontrata e punës duhet të përkthehet në gjuhën e vendit pritës. Një faqe kushton 10 euro, ndërsa për gjuhët e vendeve më të vogla kushton deri në 20 EUR; në varësi të kohëzgjatjes së kontratës ju mund të paguani 100 EUR vetëm për përkthimin e kontratës ose kontratave;

16. Vërtetim që jeni i regjistruar në fakultetin në vendin pritës;

17. Kopje të vizave të lëshuara më parë në pasaportë;

18. Biletë avioni apo autobusi si dëshmi se si do të udhëtoni. Nëse shkoni me veturë duhet paguar sigurime të veturës për t’u futur në vende të BE-së, i famshmi Kartoni i Gjelbër.

19. Rezervimi i hotelit si dëshmi;

20. Në ditën e aplikimit për vizë duhet të paguani 80 EUR taksën e aplikimit dhe të merrni dëshminë që keni aplikuar, pa të cilën mund të keni vështirësi në tërheqjen e pasaportës;

21. Tërheqja e pasaportës bëhet pas të paktën një jave në rastin më të mirë;

Në rastin më të mirë, ju duhet të paguani të paktën 300 EUR, dhe në rastin më të keq 400 EUR pa i llogaritur shpenzimet e biletës së fluturimit, autobusit (apo shpenzimet e veturës), hotelit dhe qëndrimit në vendin pritës. Ata që nuk jetojnë në Prishtinë mund të kenë edhe për 30% më shumë shpenzime shkaku se duhet të udhëtojnë me autobus apo makinë për në Prishtinë. Koha e përgatitjes së të gjitha këtyre dokumenteve është së paku 2 javë. Vizat familjare, pastaj për punë kërkojnë shumë më shumë kohë, dokumente e shpenzime.

Të ngjashme