Sadiku konfirmon bisedimet me klubin e Luganos

Prishtinë | 05 Jan 2017 | 10:05 | Nga

E ardhmja e Armando Sadikut mbetet në udhëkryq. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare nuk dëshiron më të qëndrojë tek Zyrihu për shkak se ekipi kryeqytetas luan në ligën e dytë zvicerane.

Janë përmendur disa emra ndër to edhe Palermo në Itali, por me sa po kuptohet opsioni më i mundshëm është Lugano. Skuadër që tashmë drejtohet nga ish ndihmës-trajneri i kombëtares kuqezi Paolo Tramezzani.

Ka qenë vetë sulmuesi elbasanas ai që ka pranuar bisedimet mes Zyrihut dhe Luganos në një intervistë për portalin zviceran tio.ch.

“E njoh shumë mirë ambjentin tek Lugano, e di që jam i mirëpritur atje. Natyrisht kam përshtypje mjaft pozitive për Tramezzanin dhe dua me të vërtetë ta falenderoj për atë që bëri me kombëtaren shqiptare, është një njeri me shumë energji. Përsa i përket një kalimi tek Lugano, jam në dijeni se palët po diskutojnë, por nuk mund të them më shumë për momentin. Na mbetet të presim se cfarë drejtimi do të marrin bisedimet”, ka deklaruar 25-vjeçari për median helvete.

Sadiku ka provuar edhe më parë të jetë pjesë e Luganos për një sezon e gjysmë nga qershori i vitit 2012 deri në përfundim të vitit 2013 duke qenë një pikë e fortë e kësaj skuadre dhe duke realizuar 29 gola.

Ndërsa para disa javësh presidenti i Luganos Angelo Renzetti i hapi dyert një rikthimit të Armando Sadikut tek bardhezinjtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme