Sadiku para Kuvendit: Delegatët të votojnë sipas bindjeve, kërkesa për lidershipin që merr përgjegjësinë – LDK opozitë e VV-së

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku, para nisjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë së tij,  tha se do ta respektojë çdo udhëheqësi që del nga Kuvendi i LDK’së.

Por, ai tha se kërkesë e tij e qartë mbetet një: LDK’ja duhet të jetë opozitë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe thotë se ky opozitarizëm duhet të jetë i zëshëm.

Ai tha se e sheh si proces normal dhe “thellësisht demokratik” mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm sot ku do të votohet për ose kundër që kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, të vazhdojë të jetë në krye të partisë.

“I ftoj dhe i lus të gjithë delegatët që të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe sipas vizionit që secili kandidat paraqet për të ardhmen e LDK-së”, tha ai.

Sadiku tha se e konsideron si qeverinë më të dobët që nga paslufta atë të Vetëvendosjes dhe radhiti një sërë dështimesh, sipas tij, të kësaj partie.

Të parën e listoi dështimin e Vetëvendosjes për të çkapur institucionet e pavarura dhe të dytën dështimin në luftën ndaj korrupsionit.

Sadiku shtoi se tema kryesore e këtij procesi duhet të jetë “jo vetëm se kush do ta udhëheqë partinë”, por “si do të bashkohemi për t’i ofruar Kosovës një alternativë më të mirë dhe për ta sfiduar seriozisht këtë qeverisje”.

Të ngjashme