Qamil Tafarshiku e Nikson Mema janë lojtarët e radhës nga Kosova që i janë bashkuar ekipit të madh kroat të futbollit, Hajdukut të Splitit.
Më 15 shkurt, Tafarshiku e Mema kanë firmosur kontrata të vlefshme deri në vitin 2020 me Hajdukun, ekipin që ka pasur e vazhdon të ketë shumë adhurues në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
Një prej adhuruesve të Hajdukut në Kosovë është Albin Sahatqija, që është nga Gjakova. Madje mediat kroate kur shkruajnë për Sahatqijën i referohen atij si njeriu i Hajdukut në Kosovë.
Sahatqija, që me profesion është polic, prej fëmijërisë është tifoz i Hajdukut. Ka rreth 15 vjet që është aktiv në forume të ndryshme në faqe të internetit ku shkruajnë anëtarë të “Torcidës” së famshme të Splitit.
Në këto forume ka vënë kontaktet me zyrtarë e drejtues të Hajdukut dhe lidhjet e krijuara po i shfrytëzon për të hapur dyert e Hajdukut për futbollistët e talentuar shqiptarë. Rreth 20 është numri i lojtarëve të rinj që Sahatqija ka dërguar në prova te Hajduku i Splitit.