Sami Lushtaku flet për herë të parë pas humbjes, tregon se a do ketë koalicion VV-PDK

Prishtinë | 19 Shk 2021 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Sami Lushtaku ka një aurë të çuditshme në opinionin kosovar. Nga një luftëtar i shquar i luftës për liri, ai u bë një politikan i rreptë dhe një figurë kritike në Partinë Demokratike. Ai ka folur sot për herë të parë për zgjedhjet e 14 shkurtit në një intervistë ekskluzive telefonike për Periskopin.

Ai është pyetur nga Periskopi në lidhje me rezultatin zgjedhor të partisë së tij, qëndrimet e Kurtit për dialogun, një koalicion të mundshëm VV-PDK dhe për bojkotimin e zgjedhjeve nga Bekim Jashari – kryetari i komunës së Skënderajt.

Lushtaku e ka vlerësuar rezultatin zgjedhor të PDK-së, derisa ka thënë që ka folur edhe me votuesit e Vetëvendosjes nga kjo komunë.

Po ashtu, ai ka qetësuar qytetarët e Kosovës që i druhen qëndrimeve të Kurtit sa i përket dialogut, duke thënë se ky i fundit do të shkojë në dialog “si bylbyl”.

Si ishte procesi zgjedhor, dhe si ka qenë PDK-ja në këto zgjedhje sipas jush?

Nuk e besoj që dikush prej PDK-së është i kënaqur me këtë rezultat; ne kemi pritur shumë më shumë, por ky është vendimi i qytetarëve; me punu kemi punu gjatë zgjedhjeve… por nuk kemi qenë boll me punu edhe para zgjedhjeve, nuk është që kemi pasur afërsi shumë me qytetarët. Unë jam njëri nga faktorët që ka fitur, por jo nga faktorët kryesorë… po du me i falenderu qytetarët e Skenderajt që e kanë vlerësuar punën… jo vetëm punën teme por krejt të PDK-së, sidomos të kryesisë që është në Skenderaj. Qytetarët e Drenicës dinë me vlerësu punën edhe angazhimin. Realisht unë kam pritur që edhe në Drenicë me qenë më mirë, por kanë qenë disa faktor që njerëzit ja kanë dhënë votën Albin Kurtit, jo me dëshirën e tyre sepse me një pjesë të tyre kam folur, por për hatër të dikujt tjetër nuk po du me përmend emra.

Si i komentoni qëndrimet e Kurtit për çështjen e dialogut?

Kurti shumëçka ka kundërshtu kur ka qenë në opozitë; kur je në opozitë e ke shumë lehtë me kundërshtu. Leje çka thotë Kurti… si bylbyl ka me shku, kështu që duhet me ju përmbajt asaj që ka ndodhë në vazhdimësi në dialog, në fund të fundit, ne nuk kemi nevojë mu frikësu nga dialogu me Serbinë. Ai kamme shku, është njëra nga prioritetet e ndërkombëtarëve, ka me qenë i detyruar me bë këtë punë. Ai e ka mashtru qytetarinë e këtij vendi me kauza të rrejshme dhe të paqëndrueshme, e tash ka m’u përball vetë me ato.

A është i mundshëm një koalicion VV-PDK?

Nuk është mendim i partisë… është mendim i jemi: unë kurrë nuk kisha bo hiç! Por nëse partia vendos është çështje tjetër, mendimi jem është JO me Albin Kurtin; ai e ka fituar garën ai le të ballafaqohet me ato që ai ka qenë kundër gjithmonë.

Si e shihni bojkotimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit nga Bekim Jashari?

Unë mendojë që kush mendon si z.Jashari është gabim… atë ditë shkolla është e KQZ dhe e votueseve. Unë i kam përcjell me vëmendje deklaratat e Bekim Jasharit dhe ai Bekim Jashari duhet me ditë ma s’pari… ai s’po din.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme