I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor.
Derisa Tirana mikpriti ministerialin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, takim ky që i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit më 16 Tetor, Sarrazin foli në podcasting “Public Square” të Ditmir Bushatit mbi këtë temë.
Për Manuel Sarrazinin Procesi i Berlinit ka dhënë disa rezultate konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor edhe pse ato shpeshherë nënvleftësohen.
“Ka një shans historik për të parë më në fund se Procesi i Berlinit mund të jetë një instrument mjaft i fuqishëm në drejtim të kontributit për perspektivën europiane. Por le ta themi edhe në këtë mënyrë, për rolin e institucioneve europiane dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Në këtë ndryshim historik që po vjen tashmë me Ukrainën dhe Moldavinë, zgjerimi rivjen në skenë si instrumenti më i fuqishëm i politikës së jashtme që ka BE-ja. Meqë ra fjala, është pa mëdyshje në duart e Komisionit sipas procedurës, jo sipas vendimeve, për shkak të situatës në Këshill. Pra, është një shans historik posaçërisht për Gjermaninë dhe vendet e Procesit të Berlinit në përgjithësi për t’i dhënë një shtytje tjetër dhe një fluks tjetër idesh këtij procesi”, thotë ai.